Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Tauland Balla ka folur këtë të hënë përpara mediave në lidhje me negociata të mundshme me Partinë Demokratike sa i takon objektit të mandatit komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Sipas socialistit kjo nuk është një çështje politike, por një detyrim për Shqipërinë.
“Unë e kam thënë disa herë që kemi një qasje dhe diskutim me grupin parlamentar të PD zyrtare për të gjetur formulimet e sakta sa I përket objektit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Formulimi i objektit të punës është shumë i rëndësishëm. Ne duam të ruajmë të njëjtin përcaktim si në komisionet e kaluara të reformës që kanë të bëjnë me hartimin e ligjit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE. Ky është një detyrim që Shqipëria ka edhe për procesin e integrimit europian.
Këto negociata me opozitën nuk kanë lidhje me asgjë tjetër. Unë nuk hyj në asnjë përgjigje për pyetje që nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes. Sa i përket detyrimit të Kuvendit për të zgjatur vettingun, kjo nuk është çështje e diskutimit politik”, deklaroi Balla.
Gjatë prononcimit për media, Balla u ndal edhe te zgjatja e mandatit të organeve të Vetting-ut. Kreu i grupit parlamentar e konsideroi këtë të fundit një domosdoshmëri.
“Iniciativa për organet e vettingut nuk është e PS por domosdoshmëri për ta çuar përpara këtë proces. Vetëdija dhe përgjegjësia e secilit prej deputetëve që të jemi në sallën e Kuvendit dhe ta votojmë”, tha ai.