• |
ide | kryesore

Përzgjedhja e librave për bibliotekat e shkollave, Shoqata e Botuesve kërkon transparencë nga Ministria e Arsimit

-Instant, Lajme, Të fundit



Mungesa e seriozitetit dhe e transparencës nga ana e ministrisë së Arsimit në përzgjedhjen e librave për bibliotekat shkollore, ka sjellë reagimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Midis të tjerash në këtë reagim, thuhet se ministria e Arsimit ka ndryshuar rregullat e përzgjedhjes, gjatë kohës kur Bordi i përcaktuar prej saj po punonte, dhe në mënyrë të paargumentuar ka vendosur të përzgjedhë nga 5 tituj prej secilës shtëpi botuese.Ky kriter nuk është i mbështetur nga argumente logjikë, siç do të ishte në radhë të parë përzgjedhja e librave në bazë të cilësisë. Pra në interesin e nxënësve që ata të merrnin librat më të mirë. Ministria e Arsimit, që me sa duket ka vënë në krye vëmendjen për shtëpitë botuese, ka refuzuar çdo lloj konsultimi me Shoqatën e Botuesve dhe nuk ka pranuar sugjerime për këtë proces. Edhe gjatë diskutimeve në Bordin përzgjedhës ka pasur konflikte dhe dorëheqje rë disa anëtareve. Lista e përgatitur nga Ministria që është shpërndarë në drejtoritë arsimore  konsiderohet nga Shoqata jo në nivelin e duhur.

Shoqata e Botuesve që ka mjaft vërejtje për gjithë procesin, ka dërguar një kërkesë zyrtare në ministrinë e Arsimit, duke pretenduar transparencë të plotë prej saj.“Kërkesat tona janë si më poshtë: 1. Lista e plotë e librave (bashkë me emrat e autorëve) që janë zgjedhur nga Bordi i MASH-it, në tetor-dhjetor 2021, shoqëruar edhe me shtëpitë botuese përfituese. 2. Lista e shkollave dhe qyteteve/rretheve përkatëse që janë zgjedhur për furnizim. 3. Përbërja e Bordit të miratimit të listës dhe cilët prej tyre kanë miratuar listën tuaj. 4. Kriteret themelore të punës për përcaktimin e listës. 5. Përse kjo listë nuk u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Librit e Nxitjes së Leximit, sikurse ishte parashikuar?”, thuhet në deklaratën e tyre”, shkruhet në kërkesën e tyre.Një pretendim tjetër i Shoqatës së Botuesve lidhet dhe me mungesën e zbatimit të ministrisë, të rregullit të saj, atë të përzgjedhjes së vetëm 5 librave nga shtëpitë botuese. Disa shtëpi botuese kanë dërguar tituj librash që shoqërohen prej një serie të gjerë, duke shkelur kështu rregullin e vendosur.“Shtëpitë botuese të librit shkollor kanë për shembull një titull libri për fëmijë, por që është seri dhe që ka 32 tituj, një seri tjetër ka 16 tituj, një tjetër 4, një seri tjetër me 10 tituj apo me 5 apo 6 tituj. Dhe kështu botuesit e teksteve shkollore kanë njëri 55 tituj, tjetri 37 tituj e kështu me radhë. Dhe këto janë në listat e reja të tetorit 2021”, shkruan Shoqata e Botuesve në reagimin e saj.Afati i vendosur për përgjigje për çështjet e mësipërme ishte data 25 janar. Deri më tani ministria e Arsimit ka zgjedhur të mos reagojë duke e lënë krejtësisht në mjegull të gjithë procesin e zgjedhjes dhe shpërndarjes së librave në biblioteka.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *