• |
ide | kryesore

Studimi në SHBA/ Pse njerëzit ndjekin udhëheqësit dhe partitë politike që ata drejtojnë

-Instant, Arkiva, Planet

Zakonisht një parti politike mbështet dhe promovon idealet dhe politikat e anëtarëve të saj. Por studiues nga Universiteti i Binghemtonit raportojnë se e kundërta ka tendencën të ndodhë në politikën amerikane. Votuesit priren që t’i ndryshojnë bindjet e tyre bazuar në platformën e partisë së tyre.

Mund të tingëllojë disi kontradiktore, por studimi i fundit zbulon se ata që janë tashmë në pushtet “udhëheqin rrugën”, dhe votuesit bëjnë kryesisht atë që u thuhet.“Ne zakonisht e mendojmë demokracinë si një sistem, ku elitat politike përfaqësojnë dhe u përgjigjen interesave të qytetarëve. Por gjetëm më pak mbështetje për këtë ide sesa mund ta prisnim”- thotë bashkautori i studimit Robin Best, profesor i asociuar i shkencave politike në këtë universitet. “Unë u befasova që nuk gjetëm më shumë mbështetje për pritshmërinë që partitë polarizohen në përgjigje të preferencave të qytetarëve, edhe pse ishte më se e dukshme se ishin partitë ato që e drejtonin këtë proces”.


Duke përdorur terma më të saktë, studiuesit arritën në përfundimin se polarizimi partiak, ndodh zakonisht përpara polarizimit të votuesve. Polarizimi politik, i referohet distancës së njerëzve ose partive politike nga njëra-tjetra mbi një çështje të caktuar.

“Ka arsye të mendohet se qytetarët i përgjigjen polarizimit partiak, duke marrë pozicione politike më të polarizuara, si dhe arsye për të pritur që partitë politike të ndryshojnë qëndrimet e tyre në kundërpërgjigje të preferencave të qytetarëve të tyre”-thotë profesor Best.

Në një botë ideale, një parti politike duhet të ndjekë pikëpamjet dhe opinionet e bazës së saj të votuesve. Ekipi donte të përcaktonte nëse kjo është e vërtetë në jetën reale, si brenda Shteteve të Bashkuara, po ashtu edhe midis demokracive të tjera jashtë vendit.

“Polarizimi është bërë shumë i dukshëm këtu në Shtetet e Bashkuara, ku dy partitë kryesore janë të ndara për thuajse të gjitha çështjet. Por dihet më pak se si funksionon polarizimi në demokracitë e tjera. Ndaj ne ishim të interesuar të dinim se si ka ndryshuar polarizimi partiak dhe polarizimi i qytetarëve me kalimin e kohës, sidomos në demokracitë e konsoliduara përveç SHBA-së”- vijon profesor Best.

Studiuesit bashkuan një grup të dhënash prej 174 sondazhesh zgjedhore, duke e lehtësuar analizën e polarizimit të partive dhe qytetarëve brenda 19 demokracive midis viteve 1971- 2019. Analiza tregoi se janë kryesisht qytetarët, ata që ndjekin partitë e tyre dhe jo anasjelltas.

Po ashtu studimi zbulon se qytetarët veçanërisht të mirë-informuar dhe të interesuar mbi politikën kanë më shumë gjasa të polarizohen kur polarizohen partitë që ata mbështesin, madje më shpejt se të tjerët.

“Qytetarët orientohen shpesh nga partitë politike se si të mendojnë për çështjet politike. Këtë gjë po e shohim shumë në SHBA kohët e fundit në lidhje me pandeminë, por vlen edhe për shumë çështje të tjera. Njerëzit bazohen shpesh tek partitë politike si burim informacioni, prandaj është logjike që të presim që ata të ndjekin drejtimin e këtyre partive dhe elitave të tjera politike”- përfundon profesor Best. / StudyFinds – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.