• |
ide | kryesore

Ardhja e Ceferin, zmbraps politikën: “Ramë dakord me Kryeministrin, futbolli duhet të vendosë për futbollin”

-Instant, F1, Sport, Video



“Erdha sot për të vizituar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për të takuar z. Armand Duka, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s”. E nis kështu komentin e tij Alexander Ceferin, presidenti i UEFA-s për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, në lidhje me mbërritjen e tij në Tiranë në kulmin e një konflikti mes kreut të FSHF-së Duka e politikës me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj në krye, të cilit duket se i atribuohen edhe fjalët. “Gjëja më e rëndësishme këtu është që kjo situatë nuk e ndihmon futbollin shqiptar. Duhet të ketë qetësi, ne jemi gati të ndihmojmë që çdo gjë të jetë e qetë, çdo gjë duhet të jetë transparente dhe me qeverisje të mirë. Nuk dua të hyj në deklaratat e askujt që vijnë nga aktorë lokalë”.

Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, ka zhvilluar fillimisht një takim me Kryeministrin Edi Rama: qëllimi i vizitës së presidentit Ceferin ishte diskutimi për problematikat e incidenteve të fundit lidhur me procesin zgjedhor të FSHF-së: “Në parim UEFA nuk ndërhyn në proceset zgjedhore, por ne duam zgjedhje të ndershme dhe nuk duam asnjë ndërhyrje nga palë të tjera. Pata gjithashtu një takim me Kryeministrin Rama sot, ne ishim të pak të shqetësuar për situatën sipas raportimeve që kemi lexuar në media. Jam i kënaqur që ramë dakord me Kryeministrin, që futbolli duhet të vendosë për futbollin. UEFA do të japë të gjithë mbështetjen e saj, do të sjellë përfaqësues këtu për të verifikuar korrektesën e zgjedhjeve dhe sigurisht që të mos ketë ndërhyrje nga asnjë palë jashtë futbollit”.

Më pas, kreu i qeverisë së futbollit europian ka zhvilluar një vizitë në Shtëpinë e Futbollit ku është pritur nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Aty numri 1 i futbollit kontinental ka konfirmuar edhe zhvillimin e finales së Conference League në Tiranë, sic ishte programuar: “Pasi kemi lexuar artikujt në media ne ishim pak të shqetësuar për finalen e UECL, por fola me Presidentin e FSHF-së dhe me Kryeministrin, me të cilin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje, që futbolli do të vendosë për futbollin dhe kjo është ajo që duam. Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces. Nëse gjërat do të jenë kështu dhe unë kam shumë besim në fjalët e Kryeministrit, atëherë zhvillimi i finales së Conference League këtu është i sigurt. Tani do të shohim përpara, sepse është finalja e parë e UEFA Europa Conference League në histori”.

https://www.youtube.com/watch?v=CFyn_LLLNz0



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *