• |
ide | kryesore

Dëshmon “DJ” që punonte te Çapjat, çoi letrën e Ervis Bardhit, i cili kërkonte ndihmë për të mbyllur çështjen e 2 vrasjeve

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Sadrit Shabani, një person me profesion DJ, ka dëshmuar në seancën gjyqësore që po zhvillohet në gjykatën e posaçme SPAK, kundër Etien Canit, Ervis Bardhit, Ardjan Çapjas dhe Klajdi Dokolit, të akuzuar së bashku nga SPAK si autorë të vrasjes së, Gentian dhe Nezir Beqirit.

Shabani, është kunati i Florenc Çelës, i cili për llogari të bashkëpunëtorit të prokurorisë, Ervis Bardhi, i ka dhënë një letër Sadrit Shabanit, me qëllim që ky i fundit t’ia përcillte pronarëve të lokal “Univers”, mesazhin e shkruar nga Bardhi për ndihmë.

Sipas prokurorisë, Sadrit Shabani, ka njohje me pronarët e këtij biznesi që janë Çapjat, pasi ka punuar në këtë subjekt tregtar si DJ.

Letrën ai ia ka përcjellë Çapjave me kërkesën e kunatit të tij, Florenc Çela.

Ndërsa ky i fundit, ja kishte dhënë Shabanit me kërkesë të Ervis Bardhit, i cili sapo kishte dalë nga burgu në Kavajë, ku kishte vuajtur 6 vite burgim për drogë dhe ishte vënë sërish nën hetim nga prokuroria e Elbasanit, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në 15 mars 2012.

Kjo pasi Bardhit i kishte dalë një gjurmë gishti pikërisht në makinën që kanë përdorur së bashku me Olsi Lekun, para dhe pas vrasjes së dyfishtë. Për të informuar Çapjat, lidhur me veprimet himore dhe përndjekjen e prokurorisë, Bardhi ka shkruar një letër, dhe i ka kërkuar Florenc Çelës, që t’ia niste Çapjave.

Florenci, ja ka dhënë kunatit të tij, Sadrit Shabani, që punonte si DJ për tia përcjellë mesazhin. Shabani, fillimisht kur është marrë në pyetje në prokurori ka treguar se nuk ka pasur dijeni për këtë situatë të tillë dhe nuk njihte asnjë nga anëtarët e familjes Çapja.

Por kur është përballur me disa fotografi që ai ishte brenda në biznesin e tyre duke performuar si DJ, ka pranuar në dëshminë e dytë, se ai kishte njohje dhe kishte përcjellë një zarf me kërkesë të kunatit të tij, Florenc Çela.

Çapjat kanë kthyer përgjigje se nuk dëshironin të merreshin fare me Ervis Bardhin, pasi nuk e njihnin këtë person.

Ndërkohë mes personave që është marrë në pyetje seancën e djeshme ka qenë dhe Kledian Bardhi, djali i xhaxhait të bashkëpuntorit të Drejtësisë, Ervis Bardhi.

Klediani, ka treguar para gjykatës së Posaçme një moment kur para se të binte në burg kushëriri i tij, Ervis Bardhi, ai është takuar herë pas here me Olsi Lekun dhe disa nga këto takime janë kryer edhe në prezencë të tij.

Dëshmia e Kledianit, provon faktin se i pandehuri Olsi Leku dhe Ervis Bardhi njiheshin me njëri-tjetrin. Mes dëshmitarëve të tjerë janë pyetur në gjyqin e djeshëm Anisa Faja, një vajzë që i ka dalë numri i saj i telefonit në vendngjarje, duke sqaruar rrethanat e kësaj situate para gjykatës.

Ndërsa para gjykatës mësohet se ka dhënë dëshmi dhe Albert Uzuni, komshi i dy viktimave, Gentian dhe Nezir Beqiri.

Katër emrat e mësipërm, së bashku me Florenc Çapjan, i larguar në Dubai dhe Olsi Lekun, i arrestuar në Athinë të Greqisë, akuzohen nga Prokuroria e Posaçme SPAK, si autorë të vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit, ngjarje kjo e ndodhur në 15 gusht 2012 brenda në banesën e tyre në Elbasan./ Ora News



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *