• |
ide | kryesore

Një shitje në 58 transferta, kosto zero për kartonat e blerjeve: ja lëvizjet e dimrit në Superiore

-Instant, F1, Sport



Është konsideruar gjithnjë një merkato riparuese, por janari i Superiores vetëm i tillë nuk mund të quhet me 46 lëvizje në hyrje të bëra nga 10 klubet pjesëmarrës. Në fund të fundit, sic ndodh zakonisht në kampionatin tonë, në tentativë për të rregulluar cfarë është bërë gabim në verë, sulen të gjithë për të kapur cfarë mund të gjejnë, pa harruar se duhen zbrazur edhe radhët: 58 transferta të qarkulluara ose jo brenda skuadrave.

Skuadrat më aktive ishin Egnatia e Partizani në hyrje e Teuta në dalje, ndërsa më indiferentet e me ide të qarta ishin Tirana e Vllaznia. Shkodranët larguan 4 lojatë inaktivë e federuan vetëm Panos, që stërvitej prej kohësh me kuqeblutë. Tirana shënjestroi vetëm Devid në sulm për të zëvendësuar Ngo’o të dëmtuar, ndërsa Bytyqi i Lacit ekuilibroi organikën pas largimit të Gyamfit e Dansos. Partizani tentoi të rregullonte lojën me Kallakun pasi prishi kontratën me Kacen, ndërsa spastroi sulmin me Kardozon e Gligorov, të zëvendësuar nga Skuka e Mirosavljev. Bitri e Fernandinho në mbrojtje e Motondo në mesfushë barazpeshuan daljet e Mustës, Gligorov e Shehit. Nuk mbeti pas Dinamo me emra të rëndësishëm.

Blutë kthyen në Superiore Sabien Lilaj e Reginaldon e nga Kosova erdhi Denison, ndërsa larguan 6 të padëshiruar me emrin më të rëndësishëm Skuka. Në Durrës bënë një revolucion, lojtarësh largimi i Kallakut dhe renditja e kampionatit nuk ka ndikuar në mendimet e Teutës për të fituar të paktën Kupën. Kështu që Jahmir Hyka e Rubin Hebaj janë dy lojtarë që mund ti japin skuadrës së Arapit atë që i ka munguar deri tani, fantazi e finalizim, pa harruar se Qaqi, i ardhuri rishtaz në prapavijë, është një garanci. Edhe Kukësi ka vendosur piketa të rëndësishme në skuadrën e Longos, me Mustën e Pëllumbin e rikthimin e fortë të Shkurtajt. Kastrioti, Egnatia e Skënderbeu nuk kanë mbetur prapa, me dëshirën për të luftuar deri në fund për mbijetesën ku spikat mbërritja në Krujë e Adolf Selmanit nga Teuta.

Në fund në gjithë bilancin, ardhjet janë huazime ose me parametër zero, me asnjë nga klubet të gatshëm të shpenzojë përtej pagës së lojtarëve dhe në dalje vetëm një është shitje Lushkja i Lacit, që la shenjën e fundit në kampionat duke mundur Partizanin, para transferimit në Moldavi te Sheriff Tiraspol.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *