• |
ide | kryesore

Banesat e inauguruara nga Erdogani, “peng” i një vendimi qeverie. Banorët nuk kanë hyrë ende në rreth 500 apartamente të ndërtuara nga turqit në Laç

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Tri javë pas inaugurimit të lagjes së re në Laç me prani dhe të Presidentit turk, Taip Rexhep Erdogan, aty mbizotëron qetësia. Në këtë bllok banimi, dyert janë të kyçura, pasi familjes përfituese ende nuk i kanë marrë çelësat e apartamenteve të reja. 522 banesat e ndërtuara me financim të qeverisë turke kanë përfunduar dhe shpërndarja e tyre është bërë që prej fundit të muajit dhjetor të vitit që lamë pas, por banorët ende nuk e dinë se kur do t’i marrin çelësat e banesave për të vijuar me mobilimin e tyre.

“Shorti për ndarjen e banesave është hedhur që prej fundit të muajit dhjetor të vitit që lamë pas. Unë kam përfituar një banese 1 plus 1 dhe jam shumë e kënaqur. Por ndonëse ka kaluar më shumë se 1 muaj, unë ende nuk e kam parë shtëpinë time, sepse nuk m’i kanë dhënë çelësat. Vij e interesohem këtu te bashkia, por s’po na jep kush përgjigje dhe nuk ka një datë fikse se kur do të na japin çelësat. E kemi pritur me padurim këtë ditë dhe s’po e kuptoj pse po na vonojnë. Unë dua çelësin e shtëpisë të fle në tokë dhe vetëm të futem brenda”, thotë një banore përfituese apartamenti.

Ndërsa një tjetër qytetar tregon se ka ngelur çdo ditë dyerve të bashkisë, por ende nuk ka marrë përgjigje se kur do të marrë çelësin e banesës që ka përfituar.

“Që prej tërmetit unë jetoj me qira në qytetin e Lezhës. Kanë përfituar shtëpi te lagjja e re që është bërë nga turqit, por ende nuk kam hyrë brenda. Gati çdo ditë shkoj te bashkia e interesohem, por askush s’të jep përgjigje se kur do të na japin çelësat. Me çfarë kemi dëgjuar, thonë se nuk është bërë ende dokumentacioni.

Nuk më duket aspak normale diçka e tillë, derisa shtëpitë kanë përfunduar dhe janë gati. Ju bëj thirrje që të na japin çelësat e të nisim me mobilimin, se boll kemi vuajtur tash 2 vite. Lagjja është bërë shumë e mire dhe po ashtu edhe shtëpitë nga brenda. Jemi shumë të kënaqur dhe e falënderojmë qeverinë turke që mendoi për ne”, thotë një banor.

REAGIMI

Bashkia Kurbin bën me dije se brenda kësaj jave, Këshilli i Ministrave do të miratojë vendimin për kalimin e të drejtave të kësaj prone bashkisë dhe menjëherë do të bëhet dorëzimi i çelësave te banorët përfitues.

“Marrë shkas nga shqetësimi i disa qytetarëve që janë përfitues të apartamenteve në kuadër të procesit të rindërtimit të zonës 1/1 për zhvillim, në Laç, në lidhje me vonesën e dorëzimit të çelësave të apartamenteve të përfituara prej tyre, sqaroj si më poshtë:

Pas marrjes në dorëzim të lagjes së re dhe inventarizimit të të gjithë pronës nga donatori (TOKI-Qeveria turke) tek Enti Kombëtar i Banesave, i cili është njësi zbatuese për këtë zonë sipas VKM nr. 46, datë 22.01.2020, ky i fundit ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Rindërtimit gjithë dokumentacionin përkatës dhe më pas ky Komision ka marrë Vendimin nr. 99, datë 04.02.2022, me të cilin i kërkon Këshillit të Ministrave kalimin në pronësi të të gjithë apartamenteve Bashkisë Kurbin.

Për këtë çështje, ditën e mërkurë, datë 9 shkurt 2022, Këshilli i Ministrave merr vendim për kalimin e të drejtave mbi këtë pronë te Bashkia Kurbin.

Vetëm pas daljes së këtij vendimi, Bashkia Kurbin bën dorëzimin e çelësave të apartamenteve te banorët përfitues, sipas listave të dala nga shorti publik për shpërndarjen e këtyre apartamenteve dhe kryen të gjitha procedurat administrative për hartimin e kontratës së dhurimit, ku çdo qytetar do të marrë certifikatën e pronësisë në emër të tij dhe do të ketë mundësinë ta trashëgojë atë pronë brez pas brezi.

Duke e mirëkuptuar padurimin tuaj për t’u rikthyer në ato apartamente aq të bukura dhe aq komode, sqaroj gjithsecilin prej jush se ndjekja me përpikëri e procedurave administrative, të cilat marrin kohën e tyre, është në të mirë të të gjitha palëve të përfshira në këtë proces”, shkruan kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara. Bashkia e Kurbinit ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmetit i 26 nëntorit të vitit 2019, duke lënë të pastrehë rreth 2 mijë familje./ Panorama



6 Comments

  1. Do t’i marrin gjate fushates kontratat me Bashkine e keshtu sigurohet edhe elektorati…
    Publikoni komentet normale ju lutem dhe jo ato me fjalor banal. Njoftimi juaj se duhet te mos dergojme mesazhe por te “ndalemi pak” me duket si kercenim jo i Lapsit, por i ndonje censori…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *