• |
ide | kryesore

Drejtori i Ajax ngacmonte koleget me mesazhe të papërshtatshme: “Më vjen turp, nuk e kuptova që e teproja”

-Instant, Sport



Drejtori teknik i Ajax, Marc Overmars, është larguar nga Heshtarët me marrëveshje të përbashkët me klubin. Në bazë të vendimit, siç raportohet nga vetë klubi holandez, janë “një sërë mesazhesh të papërshtatshme të dërguara kolegeve të ndryshme për një periudhë të gjatë kohore”. CEO van der Sar e quajti situatën “të tmerrshme” dhe vetë Overmars rrëfeu se ndihej i turpëruar: “Nuk e kuptova që po e tejkaloja vijën”.

“Javën e kaluar më është dashur të përballem me disa raportime për sjelljen time dhe mënyrën se si ajo ka reflektuar te njerëzit e tjerë – shpjegoi ish-mesfushori i Hollandës në një shënim zyrtar – Fatkeqësisht nuk e kuptova që po e kaloja kufirin, por kjo u bë e qartë për mua në ditët e kaluara. Papritmas ndjeva presion te madh. Kërkoj falje. Sigurisht, për dikë në pozicionin tim kjo sjellje është e papranueshme. Tani e shoh edhe unë, por është shumë vonë. Nuk shoh zgjidhje tjetër përvec largimit nga Ajax. Ky episod ka një ndikim të fortë edhe në jetën time private, prandaj u kërkoj të gjithëve të më lënë të qetë mua dhe familjen time.”

Overmars, 49 vjeçar, ishte Drejtor i Çështjeve të Futbollit të Ajax që nga vera e vitit 2012 dhe së fundmi u rikonfirmua për një mandat të ri, deri më 30 qershor 2026.

“Më duket e tmerrshme situata për të gjithë,” tha van der Sar. “Në rolin tim ndihem gjithashtu përgjegjës për të ndihmuar kolegët. Një klimë e sigurt për sportin dhe punën është shumë e rëndësishme. Ne do t’i kushtojmë edhe më shumë vëmendje kësaj në të ardhmen e afërt. Marc dhe unë kemi luajtur së bashku që nga fillimi i viteve 1990, fillimisht te Ajax, pastaj në ekipin kombëtar dhe kemi qenë kolegë në drejtimin e Ajax për gati dhjetë vjet. E gjithë kjo tani ka marrë një fund shumë të shëmtuar. Ne jemi duke punuar për diçka vërtet të mrekullueshme këtu te Ajax, kështu që ky lajm do të jetë një goditje për të gjithë ata që e kanë për zemër ekipin”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *