• |
ide | kryesore

Finalja e Conference League në Tiranë: mbërrin delegacioni inspektues i UEFA-s për stadiumin dhe… jo vetëm

-Instant, F1, Sport



Ashtu si ishte parashikuar, madje lajmëruar pas takimit ‘sqarues’ të presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin me Kryeministrin Edi Rama, një delegacion i UEFA-s do të mbërrijë sot në Tiranë për të inspektimin e stadiumit “Air Albania” në kuadër të organizimit të finales së UEFA Europa Conference League, që do të luhet më 25 maj.

Vizita është lajmëruar tre ditore, ndaj delegacioni do të ketë në fokus finalen e Conference League, por edhe situata të tjera të krijuara nga sulmet e fundit politike të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ceferin e bëri të qartë se vetëm nëse “futbolli vendos për futbollin” garanton zhvillimin e sigurtë të finales së parë europiane në Tiranë. Sigurisht, një vëmendje e madhe do t’i kushtohet stadiumit “Air Albania” dhe punimeve që duhen bërë aty për ta përshtatur çdo detaj me kërkesat e UEFA-s. Një aspekt i rëndësishëm është krijimi i të gjithë kushteve për të plotësuar kriteret e transmetuesit televiziv të finales.

Gjithashtu, pjesë e këtij grupi do të jenë dhe përfaqësues të sponsorave të aktivitetit, të cilët vijnë për të parë mundësinë për të organizuar aktivitete promovuese gjatë ditëve para finales. Në këtë vizitë do të diskutohet edhe për organizimin e vullnetarëve që do të angazhohen për këtë event madhor. Në mars do të ketë edhe një vizitë inspektuese të fundit e më pas do të nisë puna në terren për përgatitjen e finales.

Kjo është vizita e tretë inspektuese e grupit të punës të ngritur nga UEFA për organizimin e finales së Conference League e që përbëhet prej 61 personash. Fillimisht do të ketë një inspektim në aeroportin e Rinasit me përfaqësues të Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit e më pas do të vijohet me takime me përfaqësues të Bashkisë Tiranë në lidhje me sheshet që do të përcaktohen për t’u mbledhur tifozët, parkingjet, facilitetet që duhen krijuar, rrugët që do të bllokohen në ditën e finales, por edhe banerimin e qytetit para finales së madhe.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *