• |
ide | kryesore

Video/ Teuta, gjysëmfinalistja e parë e Kupës: penalltia e Hebajt fundosi Skënderbeun

-Instant, F1, Sport, Video



Përfundon ashtu si në vajtje, 1-0 dhe përsëri fituese është Teuta, që kalon Skënderbeun dhe arrin në gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë. Vendosi një penallti e shpejtë e Hebajt, që u kundërshtua shumë nga korcarët, por u konfirmua nga VAR. Aq mjaftoi për të mbytur shpresat e vakëta të skuadrës së Memellit, që tani duhet të mendojë vetëm për mbijetesën.

Të besuarit e Renato Arapi i japin shpresë vetes, duke u bërë skuadra e parë që kalon në katër më të mirat e kompeticionit. Sikur të mos mjaftonte avantazhi i ndeshjes së parë, që bardhekuqtë duhet ta përmbysnin, gjërat u komplikuan shumë më tepër në minutën e 6. Arbitri Ziri pa një tërheqje nga fanella të Zguros në dëm të Qaqit, në zhvillimet e një goditje dënimi. Protestave të korçarëve iu kundërvu VAR, që konfirmoi vendimin e Zirit, duke i dhënë mundësinë Hebajt të shënojë golin e avantazhit nga pika e bardhë.

Një ndeshje më pas e luajtur në administrim, me Teutën që u mjaftua të mbante Skënderbeun larg portës së Qirkos, detyrë që nuk u duk shumë e vështirë me bardhekuqtë të dorëzuar mendërisht, duke qenë se i duheshin tre gola për të përmbysur situatën. Kështu, u luajt një ndeshje e kontrastuar më shumë në mesfushë dhe me fare pak emocione. Asgjë nuk ndryshoi në pjesën e dytë, pavarësisht dëshirës së Skënderbeut për të shënuar. Në fund, Teuta shkon në gjysëmfinale dhe nxjerr nga loja finalistët e edicionit të kaluar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *