• |
ide | kryesore

I dënuar për grabitje, kush është Amaros Deda që mbeti i vdekur në Lezhë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një 32-vjeçar dyshohet se u vetëvra me armë zjarri pas një konflikti në familje. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 të së enjtes në fshatin Shënkoll të Lezhës, ndërsa viktima është shtetasi Amaros Deda. Ai dyshohet se qëlloi veten me një plumb në kokë me pistoletë në verandën e shtëpisë.

I riu mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, por nuk mundi të mbijetojë dhe gjeti vdekjen 30 minuta pas ngjarjes. Policia nisi menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen dhe nga të dhënat paraprake, mendohet se kemi të bëjmë me një vetëvrasje.

Konfliktet

Sipas burimeve, 32- vjeçari Amaros Deda kishte pasur konflikte të vazhdueshme në familje dhe mendohet se i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvrarë në debat e sipër. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e krimit pistoletë dhe një gëzhojë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

“Rreth orës 15:15, në rrethana ende të paqarta, dyshohet së është vetëplagosur me armë zjarri shtetasi , A.D., banues në Shënkoll, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Lezhë. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia.

Forcat e rendit kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën e zjarrit, me të cilën dyshohet të jetë kryer vetëvrasja. Gjithashtu, po merren në pyetje familjarët e 32-vjeçarit, si dhe janë sekuestruar dhe do të analizohen kamerat e sigurisë së banesës për të parë pamjet para dhe pas ngjarjes. Amaros Deda ishte i martuar dhe babai i dy fëmijëve të mitur. Ai jetonte me bashkëshorten, fëmijët dhe nënën, ndërsa ishte djali i vetëm i familjes Deda me origjinë nga Mirdita dhe banim në fshatin Shënkoll të Lezhës, shkruan panorama.

Viktima vite më parë lidhi dhe dhunoi të moshuarën

Amaros Deda rezulton të jetë person me precedentë penal dhe i dënuar për grabitje me armë. Më 17 mars të vitit 2011, Amaros Deda atë kohë 22-vjeç bashkë me shtetasin Fatmir Lika kanë lidhur dhe keqtrajtuar një 70-vjeçare në fshatin Shënkoll të Lezhës me qëllim për ta grabitur. Ata u prangosen disa ditë pas ngjarjes dhe sipas Policisë, ata kanë qenë me maska dhe të armatosur në momentin që janë futur në banesën e 70-vjeçares, Gjyste Radi.

Dy grabitësit e kanë lidhur dhe me pas keqtrajtuar të moshuarën, e cila ndodhej e vetme në shtëpi, me qëllim që të tregonte paratë dhe sendet me vlerë. Pasi e lidhën me litar, dy hajdutët kontrolluar në cep të shtëpisë, por nuk arritën të gjenin gjë, duke u larguar duarbosh nga banesa. Kanë qenë familjarët e saj që e kanë gjetur gruan në mëngjes të lidhur, të gjakosur dhe thuajse pa ndjenja. E moshuara përfundoi në spital me disa hematoma kryesisht në pjesën e kokës, por arritën të mbijetonte pa probleme serioze për jetën.

Ndërkohë, familjarët po atë mëngjes sinjalizuan Policinë, e cila mbërriti në vendngjarje dhe pas hetimeve identifikoi e më pas arrestoi autorët e dyshuar. Në banesat e të arrestuarve u gjetën një automatik dhe një pistoletë, me të cilat dyshohet se kërcënuan gruan gjatë grabitjes. Të arrestuarit pranuan autorësinë. Për këtë vepër penale, 32-vjeçari Amaros Deda u gjet fajtor nga Gjykata e Lezhës dhe vuajti dënimin me 4 vite burg.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *