• |
ide | kryesore

Pandemia/ Në vitin 2021 u shënuan 10 mijë vdekje më shumë se normalja

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shqipëria mbylli vitin 2021 me 30,580 vdekje, shifra më e lartë në shumë dekada dhe një shifër rreth 40% më e lartë se sa mesatarja shumëvjeçare e periuhdës para pandemisë së koronavirusit të ri. Të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara të premten sugjerojnë se gjatë vitit të kaluar, ashtu si edhe gjatë vitit 2020, numri i vdekjeve është në mënyrë dramatike më i lartë se sa normalja dhe se shkaku kryesor i vdekjeve kaq të larta ka gjasa që është vdekjet nga COVID-19 të padiagnostikuara si të tilla.

Në një vit të zakonshëm në Shqipëri ka 20 deri në 22 mijë vdekje dhe numri i vdekjeve ka një luhatshmëri shumë të vogël me një tendencë rritjeje përgjatë dekadave, si pasojë e plakjes së popullsisë. Por në vitin 2020 numri i vdekjeve kërceu në 27 mijë ose 26% më e lartë se sa mesatarja e 4 viteve paraardhëse ndërsa në vitin 2021, vdekjet u rritën edhe më tej në mbi 30 mijë, shifra më e lartë e shënuar ndonjëherë në vend për aq kohë sa vendi ka pasur një sistem të gjendjes civile.

Kriza e koronavirusit të ri nisi në pranverën e vitit 2020 ndërsa Shqipëria ia doli mirë deri në vjeshtën e atij viti, me një numër minimal rastesh dhe vdekjesh. Por ndërsa zgjedhjet e vitit 2021 u afruan, qeveria refuzoi të ndërmarrë masa të reja kufizuese, gjë që solli një numër shumë të lartë rastesh përgjatë dimrit 2020-2021 dhe vjeshtës dhe dimrit të vitit të kaluar. Kulmi duket se u shënua në muajt shkurt e mars 2021 kur në vend kishte në çdo kohë mbi 30 mijë të sëmurë të diagnostikuar zyrtarisht me COVID-19.

Qeveria shqiptare është kritikuar në mënyrë të vazhdueshme për kapacitete e ulëta diagnostikuese për identifikimin e rasteve me COVID-19 gjë që mund të jetë shkak për mosidentifikimin e duhur të rasteve me COVID-19 dhe për vdekje që mund të ishin shmangur. Numri i vdekjeve gjatë vitit të kaluar ishte gjithashtu për herë të parë në historinë statistikore të vendit më i lartë se sa numri i lindjeve ndërsa shtesa natyrore e popullsisë ra për herë të parë në territor negativ. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2021 pati 27,284 lindje, ose 3,296 më pak se sa numri i vdekjeve. /BIRN



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *