• |
ide | kryesore

E tashmja, përballë të shkuarës dhe të panjohurës: ja çfarë kanë dhënë për futbollin Duka, Shakohoxha e Starova

-Instant, F1, Sport



Komisioni i Verifikimit ka zyrtarizuar kandidaturat për presidentin e ardhshëm të FSHF-së, duke nisur në këtë mënyrë ‘luftën’ e tre njerëzve, ngushtësisht të lidhur me futbollin, edhe pse në mënyra të ndryshme. Praktikisht në mënyrë figurative është e tashmja, përballë të shkuarës dhe të panjohurës – citon RTSH Sport -, në këndvështrimin e asaj cfarë mund të japin Armand Duka, Sulejman Starova e Dritan Shakohoxha, në krye të futbollit.

Me 5 mandate, që nga 2002 në krye të FSHF-së, Duka një njohës i administrimit të biznesit, sipërmarrës që nga 1993, është presidenti më jetëgjatë në historinë e futbollit shqiptar. Rritja dhe zhvillimi i skuadrave përfaqësuese në organizim dhe në rezultate teknike, ndërtimi i një stadiumi modern kombëtar e rikonstruktimi i shumë të tjerëve, por mbi të gjitha kualifikimi i Shqipërisë në fazën finale të Francë 2016 janë disa nga pikat e forta të presidentit aktual. I fortë edhe në pozitat me UEFA-n ku është anëtar i komitetit ekzekutiv, por edhe në mardhëniet me FIFA-n, me një katër vjeçar 2008-2012 si anëtar i komitetit të Federatave e një vit më pas i Komitetit Organizator të Kupës se Konfederatave, 60 vjecari synon një mandat të gjashtë në emër të vazhdimësisë.

Pikërisht atë që kundërshton Dritan Shakohoxha, që nga viti 1989, kur për herë të parë nisi punën si gazetar në TVSH e deri në përfundim të kampionatit Europian në 2021 ka dhënë kontributin e tij për futbollin në një terren ndryshe nga dy kandidatët e tjerë. Shako e ka bërë fjalën të vlejë, si gazetar apo komentator, ndërsa përsa i përket aftësive të tij menaxheriale, bizneset në të cilat është përfshirë dhe mënyra e drejtimit të redaksive të sportit në televizione apo platform të ndryshme e ka bërë të suksesshëm. Mënyra e të konceptuarit të emisioneve sportive në vendet ku ka punuar është pikërisht e tij e tani 53 vjecari kërkon të sprovohet në krye të futbollit, ku synon dy pika sipas tij shumw tw rwndwsishme: kthimin e Fair Play në futboll dhe rritjen e numrit të futbollistëve, me përllogaritjen se Shqipëria ka % më të vogël të atyre që ushtrojnë futbollin në kontinent. “Jam kandidat i vetes sime, Duka luan me dy kandidatë” është dorashka e fundit e Shakos para zgjedhjeve.

Njw sulm, nw fakt, qw bwhet në të njëjtën kohë edhe ndaj Sulejman Starovës, një emër i respektuar në futbollin tonë, për ata që ka bërë si futbollist, impaktin si trajner dhe një eksperiencë gjashtë vjeçare si sekretar i përgjithshëm i FSHF-së nga 1998 në 2004, madje përpara dy viteve të bashkëpunimit me Dukën, roli i Starovës në FSHF ka qenë praktikisht ai i presidentit të institucionit që drejton futbollin. 66 vjecari në fakt e njeh lojën në të gjithë dimensionet, sepse përvec trajner i skuadrave më të njohura në vend, ai ka kryer edhe rolet drejtuese në klube. Kandidaturat janë shpallur, tani topin e ka Asambleja…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *