• |
ide | kryesore

Video/ Tre gola në 16 minuta, Vllaznia trembet nga Teuta por imponohet 4-2: karton i kuq për Qaqin

-Instant, F1, Sport, Video



Vullneti për të provuar të përfshihet në diskutimin e titullit është më i fortë se thjesht idea për të bërë rezultat. E megjithatë në spektaklin e 4-2 në Loro Borici, me të cilin Vllaznia likuidoi Teutën, ishte një ndeshje me dy fytyra, ku shkodranët pasi shënuan tre herë në cerek ore lojë, lejuan rikthimin e durrësakëve që u bënë të frikshëm, deri kur Jonuzi vulosi sfidën.

Në gol që në minutën e parë, shkodranët e nisën ndeshjen si më mirë nuk mundeshin: madje në harkun e 16 minutave të para, rezultati u vu në kasafortë me dy gola të tjerë: dy herë Latifi (minutat 1′, 16′) e Dianje (7), i bënë shkodranët të besonin se ndeshja përfundoi, pavarësisht se ishin luajtur vetëm 16 minuta. Teuta e tronditur në moral, por e plagosur në krenari, u kthye të shpresojë duke i besuar një shkodrani. Hebaj në minutën e 17 shënoi golin që i ndryshoi imazhin ndeshjes së skuadrës së Arapit. E përpara se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes për pushimin mes pjesëve, sfida u hap krejtësisht. Lorenco Vila ngushtoi diferencën në 3-2 në minutën e 41, duke e bërë ndeshjen tashmë të paparashikueshme.

Brdaric e ka bërë veten të ndihet në dhomat e zhveshjes, duke i dhënë motivimin e duhur të tijve, për tu kthyer në fushë, ashtu si u futën në start. Gjërat mund të ishin qetësuar më shpejt, por Latifi u ndal nga shtylla. Teuta u mundua të kundërsulmonte, pa gjetur mënyrën e duhur për të thyer një prapavijë, që tani ishte bërë e kujdesshme. E në këtë pikë, Vllaznia goditi me Jonuzin, në mënyrë vendimtare, duke firmosur pokerin në minutën e 72. Teuta e kuptoi se pikërisht këtu e humbi ndeshjen, por ishte e paaftë edhe të reagonte, e mbetur me 10 lojtarë në fund të takimit, pasi VAR dalloi një bërryl të Qaqit, që u ndëshkua me karton të kuq.

VLLAZNIA 4-2 TEUTA, GOLAT E KARTONI I KUQ



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *