• |
ide | kryesore

Afera e inceneratorëve/ PS bllokon dëshmitë e anëtarëve të komisioneve për inceneratorët

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ish-anëtarët e komisioneve të dhënies së koncesioneve për inceneratorët në Elbasan dhe në Fier nuk arritën të dëshmojnë në komisionin hetimor parlamentar, pas pretendimit të mazhorancës se thirrja e tyre ishte anti-ligjore.

Sipas deputetëve të Partisë Socialiste, nuk mund të dëshmojnë persona të cilët janë në hetim nga SPAK, apo kanë padi penale apo dënim nga gjykata për çështjen që është në hetim, duke e cilësuar thirrjen e tyre në kundërshtim me Kodin Penal. Me këtë argument, ata bllokuan dëshmitë e dy gazetarëve Artan Rama dhe Jetmir Olldashi dhe më pas dhe të 14 dëshmitarëve të tjerë që kishin një rol kyç në procedurat e dhënies së koncensioneve për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit.

Mazhoranca kundërshtoi të martën dëshminë e 5 anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit të Elbasanit, pasi u pretendua se ishin nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Ledia Karalliu, Bardh Çapiri dhe Serafin Papa, edhe pse qëndruan me orë të tëra në pritje për të dëshmuar sipas radhës së përcaktuar, nuk u morën në pyetje nga komisioni. Në një takim me dyer të mbyllura, deputetët vendosën se nuk do të merren dëshmitë e tyre publike për shkak se janë persona nën hetim për këtë çështje nga SPAK.

Me të njëjtin argument mazhoranca bllokoi të mërkurën edhe dëshmitë e 9 anëtarëve të komisionit të prokurimit të inceneratorit të Fierit, Sabina Cenameri, Florian Muçaj, Azem Shahtëri, Armida Ali, Valbona Ballgjini, Erion Murataj, Sidita Temali, Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu.

Debati në komision nisi me dëshmitaren e parë nga ky grup, Sabina Cenamerin, e cila tha se ishte thirrur në SPAK për të dëshmuar në lidhje me koncensionin e Fierit. Nënkryetari i ri i komisionit, Arben Pëllumbi, kërkoi që të ndërpritej dëshmia, pasi sipas tij, komisioni po ndërhynte në punën e një organi hetimor. Pas një debati të gjatë dhe një pushimi të detyruar që u justifikua me gjendjen emocionale të dëshmitares, komisioni nisi punën, por këtë herë ishte deputeti tjetër socialist, Eduart Shalsi që kundërshtoi dëshminë e saj. Ai tha se duhej marrë një mendim juridik i paanshëm nga një konstitucionalist për këtë çështje.

Ashtu si Shalsi, edhe deputetët e tjerë të mazhorancës vijuan në të njëjtën linjë kundërshtimin e tyre duke e kthyer mbledhjen në një debat për procedurë. Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku kërkoi që të ndiqej praktika e mëparshme parlamentare me komisionet hetimore duke sjellë në vëmendje komisionin hetimor për çështjen e “21 janarit”, kur ishte marrë dëshmitar kreu i gardës, Ndrea Prendi edhe pse ndodhej në hetim nga drejtësia.

Debati zgjati disa orë pa asnjë konsensus dhe Tabaku vendosi të shmangë dëshmitë e 9 ish-anëtarëve të Komisionit të Prokuromit dhe të vijojë me thirrjen e dëshmitarëve të tjerë në radhë. Ajo e akuzoi mazhorancën se po bllokonte hetimin.

Më herët, deputeti i PD-së Edmond Spaho njoftoi tërheqjen e tij si anëtar i këtij komisioni duke marrë shkas nga sjellja e mazhorancës.

“Ky komision nuk do të ketë rezultat, pavarësisht përpjekjeve tona për të nxjerrë faktet në dritë, për të informuar publikun për vjedhjet skandaloze që janë bërë në 3 kontrata”- tha ai duke e cilësuar “qesharak” vendimin për të mos marrë dëshmitë e anëtarëve të komisionit të prokurimit të Elbasanit.

Ndërsa kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një deklaratë publike akuzoi mazhorancën dhe opozitën se kishin marrë një “vendim skandaloz” me urdhër politik.

Gjatë mbledhjes së radhës para komisionit dëshmoi kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, Reida Kashta, drejtore e Agjencisë së Prokurimit Publik, Rovena Beqiraj, ish Drejtore e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, të cilët u pyetën për rolin apo dijeninë e tyre për procedurat e ndjekura në dhënien e 3 koncensioneve të inceneratorëve./ BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *