• |
ide | kryesore

AKSHI për raportin e KLSH: Nuk ka abuzime, përkundrazi janë kursyer para të taksapaguesve

-Instant, Lajme, Të fundit



Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kërkon të sqarojë opinionin publik mbi disa keqinterpretime në median online të një draft-raporti të KLSH-së mbi implementimin e sistemeve të IT në FSDKSH. Në asnjë rast, AKSHI nuk ka kontraktuar më shumë se fondi limit, përkundrazi, janë kursyer para të taksapaguesve.

Bëjmë me dije se në zbatim të vendimit nr. 673 të Këshillit të Ministrave, datë 22.11.2017, AKSHI është përgjegjës për hartimin e termave të referencës, në bashkëpunim me institucionin përfitues, zhvillimin e procedurës së prokurimit për kontraktimin e atij shërbimi, si dhe implementimin, përmirësimin, apo mirëmbajtjen e një sistemi IT ose infrastrukture hardware, sipas rastit.

Në zbatim të legjislacionit aktual, parashikimet në Projekt Buxhetin Afatmesëm (PBA) 3-vjeçar, specifikisht në Regjistrin e Parashikimeve për Investime (siç bëhet fjalë në rastin konkret) kryhen nga institucioni përfitues për investime, pa përfshirë vlerën e mirëmbajtjes së sistemit/infrastrukturës.

Theksojmë se FSDKSH:

Për projektin me objekt “Zhvillimi i software moduli i depove farmaceutike” ka parashikuar 100 milionë lekë, me TVSH, të ndarë në 50 milionë lekë për vitin 2018 dhe 50 milionë lekë për vitin 2019.
Kontrata e lidhur nga AKSHI ka si vlerë implementimi rreth 92 milionë lekë, me TVSH. Pra, rreth 8 milionë lekë më pak se sa parashikimi i FSDKSH.
Për projektin me objekt “Përmirësimi i dhomës se serverëve” ka parashikuar 54 milionë lekë, me TVSH. Kontrata e lidhur nga AKSHI ka si vlerë implementimi shumën 54 milionë leke, me TVSH.
Pra, asnjë vlerë mbi parashikim. Për projektin me objekt “Regjistri Elektronik për formularët e vizitave të mjekut të familjes” ka parashikuar:
Ndërtimi i regjistri elektronik të rekordeve shëndetësore të pacientit – rreth 95 milionë lekë për vitin 2018.
Upgrade dhe integrimi i sistemit elektronik për formularët e e-vizitave të mjekut të familjes – rreth 140 milionë lekë (60 milionë lekë për vitin 2018 dhe 80 milionë leke për vitin 2019).
Totali: 235 milionë lekë. Grupi i punës, i përbërë nga përfaqësues të AKSHI-t dhe FSDKSH-së, i ngritur për hartimin e termave të referencës ka gjykuar të vlefshëm integrimin e dy projekteve në një projekt të vetëm për mirëmenaxhimin e fondeve duke qenë se dy projektet kanë pikëprerje në disa funksionalitete.
Pas hartimit të termave të referencës, dhe kryerjes së procedurës së prokurimit vlera e kontraktuar për implementimin e sistemit të integruar ka qënë rreth 190 milionë lekë, me TVSH.
Pra, 45 milionë lekë me pak se sa parashikimi i FSDKSH.
Siç vihet re qartë, asnjë nga projektet nuk është kontraktuar nga AKSHI mbi vlerën e parashikuar nga FSDKSH, por përkundrazi janë kursyer para.

Vlera e parashikuar nga FSDKSH në tabelen PBA 2019-2021 i përket vlerës së investimit.
Ndërkohë që vlera të cilës i referohet KLSH është vlera totale e projektit, duke përfshirë edhe koston e mirëmbajtjes së sistemeve e cila nuk është pjesë e parashikimeve të mësiperme, bazuar kjo në legjislacionin në fuqi.
Vlerat e shërbimit të mirëmbajtjes parashikohet dhe trajtohet nga një tjetër zë buxhetor.
Ajo që KLSH nuk trajton në këtë raport, dhe që media nuk analizon janë aspektet pozitive që ne kemi përftuar nga dy sistemet e mësipërme, përkatësisht e-vizita dhe e-depo.
Në një përshkrim të shkurtër, po ndalemi tek vlerat që këto sisteme i kanë sjellë qytetarëve, bizneseve, dhe administratës publike:

e-vizita:

Ngritja e sistemit elektronik për menaxhimin e vizitave mjekësore te mjeku i familjes.

Ndërveprim me sistemet e tjera qeveritare me qëllim shmangien sa më shumë të punës manuale të mjekut dhe infermierit ne hedhjen e të dhënave të pacientit.
Historik elektronik i diagnozave dhe të dhënave shëndetësore të pacientit.
Ndërlidhje me sistemin e recetës elektronike dhe sistemin e referimit elektronik për të plotësuar dosjen e pacientit.
Monitorim në distancë të stafit mjekësor në zbatimin e protokolleve mjekësore.
Rritje e efikasitetit të punës së mjekut nëpërmjet aksesimit të 4 sistemeve të mjekut të familjes nga një dritare e vetme.
Ulje e abuzimeve nga institucionet shëndetesore në regjistrimin e vizitave fiktive për përfitimin e fondeve financiare nga ministria.

e-depo:

Inspektim online nga stafi i FSDKSH duke shmangur vajtjet e shpeshta të inspektoreve pranë subjekteve private.
Ndërveprim me sistemin e fiskalizimit, dhe me sistemet financiare te Depove farmaceutike për të shmangur hedhjen e të dhënave në disa sisteme nga stafi i subjektit privat.
Transparencë dhe monitorim në kohë reale për marrëdhënien Depo-Farmaci në lëvizjen e barnave duke shmangur raportimet fiktive pranë FSDKSH.
Administrim në kohë reale të hyrje-daljeve nga importuesit/prodhuesit, depot, e deri te farmacitë.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *