• |
ide | kryesore

Champions rikthen Liverpool në San Siro: Inter me ethe pas një dekade, Bayern e luan me Salzburg

-Instant, F1, Sport



Champions League është futur tashmë në ethet e eleminimit direkt dhe befasitë janë fshehur pas cdo ndeshje. Kështu, kur Bayern Mynih dhe Liverpool, dy prej favoritëve direktë, do të luajnë në transfertë për ndeshjen e parë të 1/8 duhet të bëjnë kujdes, sidomos anglezët që do të jenë vizitorë në San Siro, të sfiduar nga Inter.

INTER – LIVERPOOL
Kampionët e Italisë duhet të bëjnë llogaritë me 6 herë kampionët e Europës, që janë një nga tre skuadrat e kompeticionit të këtij viti që kompletuan fazën e grupeve me një rekord 100% fitore, në kohën kur skuadra e Simone Inzaghi u pozicionua e dyta pas Real Madrid. Për herë të parë në më shumë se një dekadë, Inter kthehet të luajë në fazën me eleminim të Champions League e ndërsa shpresat janë të mëdha për tu kualifikuar, realiteti nuk premton pritshmëri aq të larta, duke qenë se skuadra e Klopp është një nga favoritet e mëdha për triumfin final. Problemi më i madh i Inzaghit është mungesa e Barella i skualifikuar, por lajmi i mirë është rikuperimi i Bastonit, që megjithatë mund të mos e nisë nga minuta e parë. Klopp në anën tjetër mund të vendosë të bëjë një ose dy dyshime mes titullarëve, në krahasim me fitoren në fundjavë në kampionat, me Thiago Alcantara, Naby Keita e James Milner të gjithë në garë për një vend në mesfushë në krah të Jordan Henderson e Fabinhos. Problem nëse mund të quhet i tillë, është se Diogo Jota mund të ulet në pankinë pas dëmtimit kundër Burnley, por gati është Firmino.

SALZBURG – BAYERN MYNIH
Ndërkohë, nëse kartat janë të përziera në sfidën e San Siros, duket më e qartë situata në ndeshjen tjetër ku Salzburg, do të tentojë të befasojë Bayern Mynih, duke u frymëzuar në shembjen e fundit në kampionat të bavarezëve. Salzburg do të jetë pa sulmuesin e dëmtuar Benjamin Sesko, që i bashkohet kështu Zlatko Junuzovic, Albert Vallcit, Bryan Okoh, Bernardo, Sekou Koita dhe Ousmane Diakite të gjithë në infermieri. Amerikani Brenden Aaronson pritet të vazhdojë të mbajë rolin e mesfushorit të avancuar pas sulmuesve Karim Adeyemi e Okafor, që kanë shënuar 30 gola së bashku në të gjitha kompeticionet. Sa i përket Bayern Munich, ata do të jenë pa portierin titullar Manuel Neuer për 3 deri në 5 javë pasi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale këtë muaj, kështu që Sven Ulreich do të jetë mes shtyllave. Nagelsmann ka zbuluar se Alphonso Davies nuk është akoma gati, ndërsa Leon Goretzka dhe Jamal Musiala janë gjithashtu të padisponueshëm. Mbrojtësit Benjamin Pavard e Lucas Hernandez do të kthehen në formacionin titular ashtu si qendrat Niklas Sule e Dayot Upamecano, ndërsa talismani Robert Lewandowski – që ka shënuar 37 gola në 30 ndeshje në të gjitha kompeticionet këtë sezon, përfshirë 9 në gjashtë në Champions League – do të udhëheqë sulmin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *