• |
ide | kryesore

Afera e inceneratorëve/ Veç vjedhjes që po hetohet nga SPAK, dy muaj pa rroga janë edhe punëtorët

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Rreth 30 punëtorë të riciklimit të mbetjeve në inceneratorin e Elbasanit protestuan të enjten për mos marrjen e pagave dy muajt e fundit. Ata thanë se janë në vështirësi të mëdha ekonomike dhe paga që marrin aty është shpresa për familjet e tyre që të mund të sigurojnë minimumin e jetesës.

“Jam 8 vetë në familje. Unë kam marrë kredi dhe kredia ka dy javë që ka kaluar. Kemi arritur kemi dalë këtu në rrugë. Kemi dy muaj që nuk i marrim”, tha para kamerave një prej punonjësve para dyerve të impiantit në periferi të Elbasanit.

Burri rreth të 50-tave pretendoi se drejtuesit u kishin premtuar disa herë pagën, por nuk ua kishin dhënë atë. “Do i mirrni, do vijnë, do bisedojmë me atë. Ne sot e pamë që nuk po bëhej gjë”, tha ai, ndërsa paralajmëroi se protesta do të vijonte.

Kompania Albtek Energy, e cila ka në zotërim koncesionin për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan përfshi inceneratorin, u sekuestrua në dhjetor të vitit që shkoi nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit, për shkak të akuzave mbi drejtuesen e saj Stela Gugallja, e cila është arratisur.

Pas vendosjes së sekuestros për kompaninë u caktua si administrator shtetëror Arjan Baçi.

Një prej përfaqësuesve të për administrimin e impiantit Enea Murataj deklaroi për gazetarët se nuk kishte vonesa pagash dhe brenda datës së caktuar punëtorët do të marrin pagesat e tyre. Ai pretendoi se protesta ishte pasojë e panikut dhe ndoshta e shtyrë politikisht dhe nuk ka bazë të vërtetë.

Ndërkohë që punëtorët protestonin, dy përfaqësues nga brenda impiantit kërkuan që ata të hynin brenda e të bisedonin me administratorët. Punonjësit nuk dolën më nga godina dhe BIRN mësoi se ata kishin marrë turnin dhe kishin vijuar punën.

Inceneratori i Elbasanit vazhdon të grumbullojë mbetjet e Elbasanit dhe të disa bashkive të tjera, të cilat i nënshtrohen një faze të ndarjes së mbetjeve të riciklueshme ku janë të punësuar rreth 30 punëtorë./ BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *