• |
ide | kryesore

Tirana mjafton të fitojë me vendin e fundit, Java e 21 do ti largojë të paktën një nga ndjekësit, në mos të dy…

-Instant, F1, Sport



Përplasje të forta, beteja mbijetese e tentativë për të dalë jashtë saj. Ajo që spikat në javës e 21 të Superiores, është se të gjitha skuadrat janë të përfshira me një objektiv të qartë, madje edhe Teuta që deri pak ditë më parë ishte në një zonë të qetë. Megjithatë, e 21-a mund të jetë krejtësisht në favor të Tiranës, nëse bardheblutë fitojnë sfidën e ekstremeve të renditjes: ndjekësit e bardhebluve përplasen mes tyre e sido të jetë rezultati, do ti bëjë të kënaqur të besuarit e Shehit.

E gjithë vëmendja e të shtunës do të jetë megjithatë e përqendruar në sfidën mbijetesë në Rrogozhinë. Egnatia do të luajë kundër Skënderbeut në një ndeshje që vlen shumë, jo vetëm për faktin se skuadrat janë me pikë të barabarta dhe shpëtimi për momentin është -3, por sepse korçarët kanë marrë katër pikë në dy ndeshjet e para dhe nëse fitojnë edhe të tretën do të ruanin një epërsi nëse të dyja e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta.

Shumë e rëndësishme edhe përplasja mes Partizanit e Vllaznisë. Të kuqtë e Mehmetit vijnë nga një moment pozitiv, por kanë nevojë për pikë për të ndjekur Europën. Me Skukën që ka shënuar 4 gola në tre ndeshjet e fundit, kryeqytetasit kanë nisur të besojnë se ky sezon edhe mund të ndryshojë. E njëjta situatë edhe për kuqeblutë e Brdaric, por me synimin për tu rifutur në garën për titullin. Suksesi 4-2 me Teutën ka shërbyer për të rimotivuar shkodranët, edhe pse nga vendi i parë janë ende 13 pikë larg.

NDESHJET, JAVA E 21 SUPERIORE

19/02/22
Egnatia    13 : 45 Skënderbeu
Partizani 16 : 45 Vllaznia
20/02/22
Kastrioti  13 : 45 Tirana
Laçi           13 : 45 Kukësi
Teuta        16 : 45 Dinamo

Të dielën është dita e Tiranës, që rigjen Seferin e Hoxhallarin, por nuk ka Limajn, për të mposhtur Kastriotin. Krutanët të fundit të renditjes mund të jenë 31 pikë larg bardhebluve, por do të kërkojnë tia bëjnë jetën të vështirë kryesuesve të renditjes. Shehi në anën tjetër e ka të qartë se mjafton vetëm të fitojë dhe kjo javë do të jetë në favor të tij, sido të përfundojë rezultati i përplasjes së dy ndjekësve më të afërt të tyre.

Në Lac vizitor vjen Kukësi dhe Josa që nuk humbet prej 12 ndeshjesh, nuk dëshiron ta bëjë përballë vendit të tretë, që me një fitore do ta barazonte me 40 pikë, pa llogaritur pastaj që Tirana mund të shkojë në +9. Këto llogari pak i hyjnë në punë Longos që kërkon të vazhdojë ndjekjen e kreut, por duhet ta bëjë duke fituar në një fushë që nuk njeh humbje që kur ka mbërritur Josa.

Dinamo e Teuta luajnë 90 minuta për tu distancuar nga zona e rrezikut dhe si për Arapin ashtu edhe për Devollin nuk lejohen gabimet, për më tepër që gjirokastriti duhet të ndryshojë kursin e dy humbjeve në dy ndeshjet në pankinë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *