• |
ide | kryesore

Brazili ka humbur tifozët, Neymar nuk e fsheh zhgënjimin: “Për këtë gjeneratë Kombëtarja nuk ka më rëndësi”

-Instant, Sport



Duke lënë mënjanë penalltinë skandaloze, por edhe humbjen e PSG-së ndaj Nantes, Neymar i është përkushtuar një interviste me streamer-in brazilian Alexis Gaules. Sulmuesi, gjithashtu drejtpërdrejt me fenomenin Ronaldo, trajtoi çështje të ndryshme, nga Kupa e Botës, te Messi, kombëtarja braziliane dhe marrëdhëniet mes tifozëve dhe Seleçãos.

Pak muaj para Katar 2022, O Ney foli për ëndrrën e tij për të fituar Kupën e Botës, të gjashtën për Brazilin. Sulmuesi tregoi se cilët sipas tij janë kundërshtarët për t’iu frikësuar: “Franca po ecën shumë mirë. Gjermania dhe Argjentina mund të jenë gjithashtu kampione. Spanja ka një trajner fantastik”.

Duke folur për ekipet kombëtare, Neymar ka dashur të shprehë edhe zhgënjimin e tij për hendekun që është krijuar mes brazilianëve dhe Seleçãos: “Është e trishtueshme që publiku është distancuar. Për këtë gjeneratë, kur luan kombëtarja nuk ka më rëndësi. Sot Kombëtarja është distancuar nga njerëzit, nuk e di pse, por e shoh gjatë ndeshjeve. Komentohet pak, pak e dinë kur luajmë. E kjo është dicka e keqe, është e trishtueshme. Kur isha fëmijë, ndeshja e kombëtares ishte një ngjarje e madhe. Vareshin flamujt brazilianë në dritare ose në ballkon. Bëhej barbekju, gjyshet dhe nënat përgatisnin tortën. Ishte një ngjarje shumë e ndjerë në shtëpi. Sot nuk e shoh më atë rëndësi. Nuk e di se si arritëm në këtë pikë, shpresoj që gjithçka të kthehet në mënyrën si ishte disa vite më parë”.

Neymar foli edhe për miqësinë e tij me Messin: “Kur ishte mundësia që ai të vinte në Paris, isha shumë i lumtur. Skuadra duhet ende të përgatitet, por këtu duam të shkruajmë historinë”. Braziliani rrëfeu se ishte përpjekur të kthehej në Camp Nou për të luajtur sërish me mikun e tij argjentinas, por edhe për t’i shpëtuar kritikave në Francë. Një përpjekje që më pas dështoi: “Unë u përpoqa të kthehesha në Barcelonë, bëmë gjithçka, por nuk ishte e mundur”.

Po për të ardhmen? Një rikthim në Brazil dhe Santos mund të jetë një mundësi, por ka një destinacion tjetër që e tërheq brazilianin: “Do të doja të luaja në MLS për të paktën një sezon. Duket sikur luhet vetëm 3 ose 4 muaj dhe pjesa tjetër është pushim”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *