• |
ide | kryesore

Devolli prek fundin me humbjen që nuk e mërziti: arsyet pse Dinamo shpreson

-Instant, Sport



Një pikë në 5 ndeshjet e fundit, 19 pikë e në vendin e parafundit. Bilanci është fundosës për Dinamon e rikthyer në elitën e futbollit pas një dekade e për nëndetësen abisi në të cilin është futur duket i pafund. Edhe për Devollin gjërat nuk duken mirë, me teknikun që gjeti në duar një skuadër në krizë e që nën drejtimin e tij doli nga Kupa e Shqipërisë në cerekfinale dhe zbriti në zonën e rënies nga kategoria, me tre humbje në tre ndeshje që kur është ulur në pankinë.

E megjithatë, kjo e fundit, 1-0 përballë Teutës e bëri teknikun ta konsideronte “humbja për të cilën nuk ka keqardhje”, edhe pse statistikisht duhet të ishte e kundërta. Por gjirokastriti pa në fushë pikërisht skuadrën që ka dashur të shohë që në fillim. Agresive, me krenari, krijuese dhe dominuese, edhe pse në këtë portretizim do të kishte dashur ti evitonte epitetin shpenzuese: 16 goditje këndi, 11 goditje në kuadrat, por gola nuk pati. Problem, sepse ndeshjet fitohen duke shënuar, ashtu si bëri Teuta që me tre tentativa çoi në shtëpi tre pikët , duke i lënë Dinamos zhgënjimin, por Devollit shpresën se një skuadër me karakter të tillë e natyrisht edhe potencial për të bërë një ndeshje të tillë mund të ndryshojë kursin e frikshëm që ka marrë.

Objektivat ishin ndryshe, madje të përforcuar edhe në janar, por në futboll gjërat ndonjëherë nuk shkojnë si priten. Devolli këtë e di, por ka marrë sinjalet e duhura nga të tijtë: Dinamo e ndjek, lojtarët i përgjigjen, Denison ka rritur marshin, Lilaj është promotor i lojës, tani i mbetet vetëm Cinedut e Reginaldos të bëjnë pjesën e mbetur, ose më saktë të hedhin topin në rrjetë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *