• |
ide | kryesore

Aubameyang: “Doja Barcelonën, refuzova oferta nga Italia e hoqa dorë nga rroga”

-Instant, Sport



Pierre-Emerick Aubameyang, pasi shënoi trigolëshin e tij të parë me fanellën Blaugrana në fitoren 4-1 ndaj Valencias, shpjegon në një intervistë për Mundo Deportivo pse i tha lamtumirë Arsenalit dhe zgjodhi të transferohej te Barcelona. Megjithatë, 32-vjeçari ka folur edhe për marrëdhënien e tij me Mikel Artetën dhe ofertat e refuzuara para transferimit.

Lojtari ishte përjashtuar nga skuadra nga Mikel Arteta dhe i ishte hequr shiriti i kapitenit pasi u kthye me vonesë nga një udhëtim personal jashtë vendit, në muajin dhjetor. Një muaj më vonë, ai u largua nga Arsenali me marrëveshje të përbashkët me klubin dhe, në ditën e fundit të merkatos së janarit, ai nënshkroi me Barcelonën. Pavarësisht përfundimit të keq të aventurës në Londër, Aubameyang tregon se ai dhe Arteta janë ndarë në marrëdhënie të mira dhe sulmuesi ka zbuluar se trajneri i ka uruar personalisht fat të mbarë përpara se të nisej për në Spanjë.

32-vjeçari zgjodhi Barcelonën sepse ishte ëndrra e tij: “Doja shumë të shkoja te Barça. Hoqa dorë edhe nga paga sepse ishte një mundësi që vjen një herë në jetë. Ovacionet në Camp Nou ishin diçka e pabesueshme. Është një ëndërr të luash në një fushë të tillë dhe të marrësh këtë brohoritje. Isha shumë i lumtur. E vërteta është se ishte e pabesueshme”.

Aubameyang, raporton Daily Mail, ka hequr dorë nga paga e tij prej 350,000 paund në javë dhe ka pranuar një pagë prej 80,000 paund në javë për të luajtur me Blaugranat. Por, sipas tabloidit, Arsenali i pagoi lojtarit edhe një shumë prej 7 milionë paund për të lehtësuar transferimin e tij te Barcelona dhe për ta hequr atë nga listat e pagave. Taktika të përdorura edhe me Mesut Ozil dhe Willian.

Sulmuesi, për mikrofonat e Sport, zbuloi më pas se përveçse ka hequr dorë nga paga, ka refuzuar edhe disa oferta të rëndësishme për të arritur në Camp Nou: “Kam pasur oferta nga Italia dhe Franca, por Barça është Barça dhe nuk mund t’i thuash jo një klubi si ky. Shpresoj të jem në gjendje të qëndroj deri në vitin 2025, do të punoj shumë për këtë”.

Barcelona ishte e interesuar për nënshkrimin e sulmuesit të Gabonit edhe në vitin 2020, por nuk ishte në gjendje të përfundonte marrëveshjen. Tani Aubameyang më në fund ka realizuar ëndrrën e tij. E lojtari, për këtë aventurë të re, mund të mbështetet edhe në këshillat e Thierry Henry, Hector Bellerin dhe Ousmane Dembélé.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *