• |
ide | kryesore

Zbardhja e dokumentave/ Pse refuzoi të depononte deputeti Alqi Bllako

-Instant, Arkiva, Kryesore



Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako është larguar nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët pa dhënë dëshminë e tij. Ish sekretari i përgjithshëm në ministrinë e Lefter Kokës, që është akuzuar nga opozita se njësoj si padroni i vet u fut nga Rama në fushatën e 25 prillit për të financuar PS-në me paratë e inceneratorëve, ka përdorur justifikimin e ruajtjes së sekretit hetimor pasi, më parë është marrë në pyetje nga SPAK.

Bllako kërkoi që të jepte vetëm një deklaratë në lidhje me konfliktin e interesit të punësimit të babait të tij në inceneratorin e Tiranës, gjë që nuk u pranua nga kryetarja Jorida Tabaku, e cila deklaroi se në komision merret në pyetje personi dhe nuk mund ta shfrytëzojë për deklarata.

Pas këtij refuzimi për të deponuar Partia Demokratike shpërndau një njoftim ku theksohej se përse Blllako refuzonte të përgjigjej. 

Sipas saj, Alqi Bllako refuzon të dëshmojë për tenderin 15 milionë euro për mbylljen e landfillit të Porto Romanos dhe ndërtimin e Eco Park në Durrës, i cili është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera. Ai refuzon të dëshmojë për presionin ndaj bashkisë Durrës që t’i dërgojë mbetjet në inceneratorin e Tiranës, që do t’i kushtojë qytetarëve durrsakë mbi 25 milionë euro. Ai refuzon të dëshmojë për pagën e të atit 10 mijë dollarë në muaj, në inceneratorin e Tiranës. Ai refuzon të dëshmojë nëse ai është pronar përfitues i kompanisë konçesionare të inceneratorit të Tiranës, i cili nëpërmjet babait të tij ka përfituar mbi 1250 mijë euro.

Po si qëndron në fakt e vërteta?

Lapsi.al ka hapur arkiavat për të parë të gjithë lidhjen e ish sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së mjedisit me aferën e inceneratorëve dhe për të kuptuar ngurimin e tij për të deponuar.

Në fund të dhjetorit, pas arrestimit të Lefter Kokës shefja e LSI Monika Kryemadhi, publikoi një video ku shpjegohej se ai ka marrë rryshfet nga inceneratori i Tiranës, plot 125 mijë euro, duke e kamufluar këtë si pagë fiktive për të atin e tij, që rrezulton në borderotë e pagave të kësaj kompanie me një rrogë me 10 mijë dollarë në muaj. Pra aludimi i LSI-së ishte i qartë, në këmbim të nënshkrimeve dhe favoreve që djali ka bërë në detyrën e tij si funksionar publik, Bllakot, at e bir, kanë ngritur një skemë të kamufluar për të marrë ryshfet.

Deputeti i PS-së dhe ish bashkëpuntori i Lefter Kokës i ka mohuar gjithnjë këto akuza duke thënë se ai nuk është në konflikt interesi dhe e dyta se i ati i tij është paguar si një inxhinjer i thjeshtë për punën që ka bërë.

Një një sqarim publik të botuar dhjetorin e kaluar ai theksonte se nuk ka qenë në konfikt interesi pasi ai e kishte lënë detyrën rreth një muaj përpara 31 gushtit 2017, kur u shpall fituesi për impiantin e Tiranës. Edhe përpara kësaj date kur ka qenë Sekretar i Përgjithshëm, ai thekson se kurrë nuk ka qenë anëtar i asnjërit prej 3 komisioneve përgjegjëse për dhënien e 3 konçensioneve, për të cilat hidhen akuza.

Lexo me tej:

Firmoset padia për inceneratorët: 7 vite burg për Kokën, Veliajn, Agaçin

Lapsi.al i ka krahasuar faktet e bëra deri më tani publike për të parë kush është më pranë të vërtetës, opozitarët që e akuzojnë, apo Bllako që thotë se ndaj tij po bëhet një hakmarrje personale.

Deri më tani në publik kanë dalë shumë dokumenta të korrespondencës midis ministrive për të ndihmuar proceduarat në favor të inceneratorëve dhe në to duket qartë se ndryshe nga ç’pretendon Bllako, ai është në brendësi të gjithë praktikave dhe dokumentat zyrtare siglohen për djeni të tij (poshte).

Por pika ku ai del më zbuluar se kurrë është një dokument ku i përgjigjet një shkrese të ish ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. Duke qenë se Inceneratori i Tiranës do të grumbullonte mbetjet e qarkut të Tiranës, pra të Bashkive Tiranë, Vorë, Kavajë dhe Kamëz, ministri i financave i kërkon me shkrim homologut të tij të mjedisit, miratimin e këtyre institucioneve për të shkuar përpara me projektin (letra poshtë).

Por këtu ka një problem. Disa nga bashkitë kontrollohen nga opozita dhe dalin jashtë qerthullit të mbyllur të rilindjes. Dhe Alqi Bllako bën një manovër për ti lehtësuar punën e fitimit të tenderit inceneratorit. Ai i jep atributet e qarkut të Tiranës vetëm Erion Veliajt. Merr miratimin e tij dhe nuk i shkruan kryetarëve të bashkive, Kamëz, Kavajë dhe Vorë (Poshte). 

Fiks nje vit më pas inceneratori i Tiranës fillon të paguajë me 10 mijë dollarë në muaj si inxhirer babain e Alqi Bllakos. Në denoncimet e LSI-së aludohet se kjo është shuma e parave që u dha si rryshfet për të birin. Por, Alqi Bllako mbrohet duke thënë se i ati, Edmondi ,ishte një inxhinjer mekanik në pension që iu rikthye punës “Si inxhinier mekanik, i specializuar për industrinë është profesionist dhe sipërmarrës i mirënjohur në këtë fushë prej 31 vitesh. Im atë, ka lidhur një kontratë afatshkurtër me afat të përcaktuar, si përgjegjës për detajimin e projektit mekanik, pjesë kjo e projektit tërësor të zbatimit, projektim i ardhur nga një kompani ndërkombëtare” ka shkruar ai.

Por është e vështirë të besohet se një inxhnjer shqiptar të paguhet me 125 mijë euro për punën që bën sado e veçantë të jetë ajo. Aq më tepër që ky inxhinjer paguhet nga një kompani që ka përfituar nga nënshkrimet shtetërore të të birit. Akoma dhe më e dyshimtë bëhet e tëra kur mendon se Edmond Bllako është specialisti më i paguar në tërë borderonë e inceneratorit të Tiranës, ndonese kjo ndermarje punon ende si lanfild, para s’ka pasur nevoje per mekanike.

Andi Bushati: Shko në Spak t’i vësh kapak

Pra deputetit socialist do ti duhej të përgjigjej për të gjitha këto dilema përpara komisionit hetimor. Prandaj me sa duket ai vendosi të largohet në heshtje pa dhënë dëshmi. 

©Lapsi.al

 

Pjesë nga diskutimet në komision: 

Alqi Bllako: Zonja Tabaku sapo përmendët konfliktin e rëndë të interesit meqë e përmendët. Më keni akuzuar me pa të drejtë për konflikt interesi dhe unë e bëra të qartë që do firmos deklaratën, por po më latë mund të bëj dhe një deklaratë në lidhje me këtë gjë.

Jorida Tabaku: Deklaratë këtu nuk mund të bëni, duhet t’i përgjigjeni pyetjeve!

Dhurta Çupi: Jeni ju i bindur që nuk përbën sekret hetimor sqarimi për konfliktin e interesit?

Alqi Bllako: Do të doja të më jepni 3 minuta kohë për të folur për konfliktin e interesit

Unë jam sot i angazhuar në politikë dhe kur u angazhova e mora parasysh baltën që mund të hidhej ndaj meje, por familja ime nuk e ka borxh të përbaltet në këtë mënyrë. Është përmendur disa herë në këtë komision. Megjithatë është në diskrecionin tuaj për ta vendosur, ka dhe medium të tjera për ta bërë këtë gjë.

Jorida Tabaku: Zoti bllako nëse doni mund t’ju bëj disa pyetje, deklaratë nuk bëni dot këtu!

Alqi Bllako: Atëherë unë po largohem.

 



3 Comments

  1. Me aq para sa jane vjedhur per incerenatoret eshte absurde te mendosh qe ky eshte pergjegjesi kryesor, pergjegjesite fillojne qe nga maja e piramides Rama, Ahmetaj, Agaci, Veliaj, Gjiknuri dhe pastaj zbret ne kategorine e Kokes dhe Alqit me shoke.

    Desh vdiq ne aksidentin ne Maqedoni me perfituesin e incerenatoreve dhe ende nuk eshte arrestuar.

    1. Thjesht nje bande . Ky eshte pastruesi i tualetit te saj. Kjo praktike eshte perdorur nga Ri…..ja ne cdo bashki, ne cdo institucion deri ne maje te qeverisjes. Po te shihet cdo tender, cdo koncesion, cdo afere me paret e shtetit del qarte se kjo qeverisje ishte banda e vjedhjes se parave publike. Kudo me parate e shtetit u shperblyen ata qe financuan PS- ne per te fituar zgjedhjet e 2013.Ne qytetin tim nje idjot me kater klase shkolle mori cdo tender ne kuader te Rilindjes urbane ,keto mereshin nepermjet firmave te tjera (te grupit te caktuar per grabitjen e parave publike) dhe jepeshin me trefishin e cmimeve,pa gare . Edhe ne kohen e Berishes kishte korrupsion,pra jepej 10% per cdo tender ,por kishte nje fare gare, kurse keta trimat sot duan 30- 35%. Sa per dijeni pagesen 10% e shpiku qeveria e Nanos ne fillim te viteve 2000, atehere kur i ndjeri Pjeter Arbnori tha frazen legjende”Keta jane specialiste jo socialiste” . Mjer ky popull budalla qe pranon kete lloj qeverisje.

  2. Thjesht nje bande . Ky eshte pastruesi i tualetit te saj. Kjo praktike eshte perdorur nga Ri…..ja ne cdo bashki, ne cdo institucion deri ne maje te qeverisjes. Po te shihet cdo tender, cdo koncesion, cdo afere me paret e shtetit del qarte se kjo qeverisje ishte banda e vjedhjes se parave publike. Kudo me parate e shtetit u shperblyen ata qe financuan PS- ne per te fituar zgjedhjet e 2013.Ne qytetin tim nje idjot me kater klase shkolle mori cdo tender ne kuader te Rilindjes urbane ,keto mereshin nepermjet firmave te tjera (te grupit te caktuar per grabitjen e parave publike) dhe jepeshin me trefishin e cmimeve,pa gare . Edhe ne kohen e Berishes kishte korrupsion,pra jepej 10% per cdo tender ,por kishte nje fare gare, kurse keta trimat sot duan 30- 35%. Sa per dijeni pagesen 10% e shpiku qeveria e Nanos ne fillim te viteve 2000, atehere kur i ndjeri Pjeter Arbnori tha frazen legjende”Keta jane specialiste jo socialiste” . Mjer ky popull budalla qe pranon kete lloj qeverisje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *