• |
ide | kryesore

‘Kutia e imazheve e Alfredo C’, reflektim mbi fuqinë e propagandës

-Instant, F1, Paparazzi, Slider, Stil



Pas pritjes së ngrohtë në edicionin e fundit të Festivalit Ndërkombëtar të Kinematografisë së Venecias e përzgjedhjes si një ndër dhjetë filmat dokumentarë në konkurrim për çmimin David di Donatello, “La macchina delle Immagini di Alfredo C” (Kutia e imazheve e Alfredo C.) nga 7 marsi do të dalë në kinema.

Premiera në kinemanë Nuovo Sacher në Romë (7 mars, ora 21:00) do të pasohet nga një sërë shfaqjesh në Milano, Torino, Firenze, Bologna, Bergamo, Pisa e qytete të tjera me një kalendar ende në përditësim. Filmi “La macchina delle Immagini di Alfredo C.”, ka në qendër historinë e një telekameramani italian që mbërrin në Shqipëri me pushtimin fashist e mbahet “peng” bashkë me 27 mijë italianë të tjerë, ushtarë e civilë, pas çlirimit të Shqipërisë kur regjimi i Enver Hoxhës mbylli kufijtë.

Alfredo C., që për thuajse 20 vjet kishte punuar në shërbim të propagandës së regjimit fashist, për pesë vjet i bie vendit tonë kryq e tërthor e detyrohet të ushtrojë profesionin e tij, këtë radhë në favor të propagandës së regjimit komunist të ardhur në fuqi në Shqipëri. Çka shihet në filmin e Sejkos, mes filmimesh të reja e materialesh arkivore, është jeta e Alfredo C., historia e tij. E ndoshta edhe historia e mijëra të tjerëve.

“Nëse sot dimë diçka për njeriun që arriti të filmonte shekullin e diktaturave, kjo është falë filmit dokumentar të Roland Sejkos, prodhuar nga Cinecittà-Luce. Nuk është hera e parë që Sejko matet me temën e kujtesës historike. Si drejtor editorial i redaksisë së Arkivit historik Luce, ai njeh çdo sekret të arkivit të cilin e përdor me mençuri edhe për “Kutia e imazheve nga Alfredo C., film i moduluar mes realitetit dhe imagjinatës”. – shkruhet mes të tjerash në La Republica në një artikull të gjatë prezantues për filmin.

Roland Sejko

Roland Sejko ka emigruar në Itali në vitin 1991. Në 1999-tën ka themeluar dhe drejtuar për 15 vjet Botën Shqiptare, gazetën e shqiptarëve në Itali. Prej vitit 1995 punon në Institutin Luce ku sot është drejtor editorial i Arkivit Historik Luce. Njohës i thellë e përdorues mjeshtëror i arkivave, ka shkruar e realizuar dokumentarë ndryshëm që shpesh kanë patur në qendër aspekte të ndryshme të marrëdhënieve Itali-Shqipëri. Ndër filmat e tij dokumentarë spikasin Anija, dokumentari i realizuar në 20vjetorin e eksodit të madh të shqiptarëve në Itali, që është vlerësuar me çmimin prestigjioz David di Donatello 2013, si dokumentari më i mirë i vitit; “Pritja” (2015), dokumentar i frymëzuar nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri që rrëfen mohimin e lirisë së besimit, persekutimin e autoriteteve fetare, shkatërrimin e simboleve të kulteve fetare në Shqipërinë e diktaturës komuniste; “Shqipëria, Vendi përballë” (2010), që përmes imazheve të arkivave të Institutit Luce dhe të arkivave të filmit shqiptar, sjell historinë e Shqipërisë së viteve ‘900, histori e lidhur ngushtë me Italinë.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *