• |
ide | kryesore

Lufta në Ukrainë, Shakhtar i bllokuar në një hotel në Kiev: “U zgjuam nga shpërthimi i bombave”

-Instant, Sport



Trajneri i Shakhtar Donetsk, Roberto De Zerbi dhe stafi i tij prej tetë italianësh janë mbyllur në një hotel në Kiev, pas pushtimit rus të Ukrainës që ndodhi gjatë natës dhe fillimit të bombardimeve në disa qytete, përfshirë vetë kryeqytetin, me pamundësinë për t’u kthyer në Itali pasi aeroporti është mbyllur. Me ta ndodhet edhe shumica e lojtarëve të Shakhtar, që sapo ishin kthyer nga grumbullimi në Turqi, ku kishin kryer përgatitjet gjatë pushimit dimëror të kampionatit dhe të shtunën duhet të luanin transfertën në shtëpinë e Metalistit në Kharkiv, një qytet në kufi me Rusinë. Më pas erdhi vendimi për pezullimin e kampionatit.

Për agjencinë “Italpress” De Zerbi e ka dhënë dëshminë e tij direkt nga Kievi: “Jam në dhomën time, është një ditë e keqe. Prita për një kohë të gjatë që federata të pezullonte kampionatin, që kur ndodhi ajo që ndodhi me Donbass, por nuk kam lëvizur, sepse jam këtu për të bërë sport dhe nuk mund t’i ktheja shpinën kampionatit dhe tifozëve që na ndjekin. Kam trembëdhjetë brazilianë dhe stafin tim, mund të shkonim në shtëpi të paktën derisa të kishte siguri, por jo, pritëm dhe sonte shpërthimet e bombave na zgjuan nga gjumi. Sot në mëngjes ata pezulluan kampionatin dhe nga dritaret e hotelit Opera pamë vargje makinash që lëviznin, mendoj se po shkojnë në Poloni. Ambasada italiane na kishte kërkuar të largoheshim, por nuk munda, po e përsëris, unë një sportist, t’i kthej shpinën klubit, futbollit dhe të iki kështu. E në fund mbyllën hapësirën ajrore dhe ne jemi këtu: të paktën tani për tani nuk mendoj se jemi në rrezik, vërtet kam ardhur këtu për të luajtur sport dhe po armatosem me durim”.

“Jemi bllokuar në Kiev. Kishim rezervuar tashmë fluturime për t’u kthyer në Itali për këtë pasdite, por nuk ia dolëm, hapësira ajrore tani është e mbyllur në Ukrainë. Ne jemi në pritje të komunikimeve që të përpiqemi të marrim vendimin e duhur pa rrezikuar”, ishte dëshmia e Davide Possanzinit, ndihmës trajner i Shakhtar Donetsk, në Retesport. “Sonte ishim në banesat tona – tha zëvendësi i De Zerbit – pastaj rreth orës 4-5 dëgjuam shpërthimet. Hymë menjëherë në makinë, klubi na tha të shkonim në hotel. Jemi të sigurt. E prisnim. këtë situatë por jo të kësaj madhësie”.

Në profilin zyrtar twitter, Shakhtar ka postuar një foto të flamurit ukrainas me dedikimin: “Do të rezistojmë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *