• |
ide | kryesore

Kosova dërgon pajisje në veri/ Reagon Serbia: Provokim i rrezikshëm!

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Policia e Kosovës dërgoi “pajisje logjistike dhe kontejnerë” në vendkalimin kufitar me Serbinë në Bërnjak në veri të Kosovës. Ministri i Brendshëm i Kosovës tha se këto paisje do t’i shërbejnë policisë kufitare për kushte më të mira pune dhe janë në interes të sigurisë së qytetarëve dhe të krijimit të një mjedisi të sigurt.

Rritja e kapaciteteve në pikën kufitare me Serbinë në Bernjak ndodh pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës dhe vetëm një ditë pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, thanë se kanë marrë masa sigurie shtesë. Osmani dhe Kurti kishin pasur më parë takime me përfaqësues të mekanizmave të sigurisë të vendit si dhe me ndërkombëtarë, por nuk u dhanë detaje as për takimet, as për masat që pritet të ndërmerren.

Serbia: Provokim i rrezikshëm

Autoritetet e Serbisë reaguan ndaj rritjes së kapaciteteve policore të Kosovës në pikën kufitare të Bernjakut duke thënë se “aksioni i fundit policor në veri të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjet e vlefshme”. Në një reagim për mediat Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë e cilësoi rritjen e kapaciteteve të policisë së Kosovës në veri si “provokim të rrezikshëm”.

“Policia e Kosovës ka sjellë 80 metra nga vendkalimi në Bërnjak ‘makineri të rënda dhe njerëz’ me pretekstin e forcimit të postbllokut policor në vendkalim. Veprime të tilla të njëanshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës kanë vetëm një qëllim: të provokojnë një destabilizim të ri të situatës në terren, në një moment shumë të ndjeshëm për sigurinë me të cilin po përballet e gjithë bota”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ku i bëhet thirrje Prishtinës zyrtare “të mos e provokojë Beogradin dhe serbët në Kosovë dhe të mos rrezikojë paqen dhe sigurinë, duke shkelur marrëveshjen”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës përgjigjet në Facebook

Ministri i Brendshëm i qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveҫla, tha se Ministria e Brendshme “po angazhohen për të përmirësuar kushtet e zyrtarëve të policisë në mënyrë që të rritet efikasiteti i punës”.

“Që nga marrja e mandatit dhe në vazhdimësi, si ministër i Brendshëm bashkë me Policinë e Kosovës, jemi angazhuar që brenda kapaciteteve tona të krijojmë hapësira dhe kushte të përshtatshme për punë dhe ngritje të kapaciteteve për gjithë zyrtarët e policisë kudo që angazhohen ata.

Në kuadër të kësaj, për shkak të kushteve jo të mira, Policia e Kosovës sot ka dërguar kontejnerë dhe pajisje logjistike të cilat do t’u shërbejnë zyrtarëve të policisë në pikën kufitare në Bërnjak, për kryerjen sa më efikase të detyrave të tyre”, shkroi në Facebook, Sveҫla.

Vuҫiq: Nuk pajtohemi me lojën e provokimeve

Megjithkëtë shpjegim të palës kosovare, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq duke komentuar veprimet e policisë së Kosovës, tha se Prishtina me rritjen e kapaciteteve policore në veri po “provokon,” dhe shtoi se “Serbia nuk do ta pranojë lojën e provokimeve të Kosovës”

“Ne nuk duam të pajtohemi me lojën e tyre të provokimeve. Ata nuk janë Zoti, e di se çfarë pushteti kanë, por ne duhet të ikim nga provokimet, sepse ne jemi në gjendje të përparojmë më shpejt se të tjerët”, tha Vuçiq të dielën duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Vuçiq tha se ushtria serbe e ka njoftuar KFOR-in për gjithçka dhe se ai është në kontakt të përditshëm me serbët nga veriu i Kosovës.

Tri ditë më parë në dritën e zhvillimeve në Ukrainë, u mblodh Këshilli i Sigurisë së Kosovës dhe sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, ky takim ka prodhuar disa konkluzione në lidhje me bashkëpunimin midis Kosovës dhe partnerëve nga Bashkimi Evropian, NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, por detajet nuk janë bërë publike.

Sidoqoftë situata e sigurisë në veri të Kosovës paraqitet e qetë. /DW



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *