Banorët e “5 majit”, të cilët preken nga ndërtimi i projektit të Unazës së Madhe, kanë zhvilluar këtë të dielë një protestë në ambientet e jashtme të Kryeministrisë.
Gjatë një prononcimi për media një prej banorëve tha se pushteti po përdor të gjitha format e kërcënimit dhe intimidimit për të detyruar familjet të heqin dorë nga protesta.
Forma presioni të cilat sipas tij fillojnë që nga heqja nga puna, te heqja e fëmijëve nga çerdhja, dhe deri te ofertat e patronazhistëve se gjasme njohin dikë që do t’i rregollojë punë.
“Me familjet e tjera po ndodh ajo që ka ndodhur në zonën e Astirit, u arrestuan disa dhe të tjerë po intimidohen, po mashtrohen, se shkojnë patronazhistat në darkë dhe i thonë “njoh një drejtor unë aty, do ta mbyll unë çështjen, do marrësh diçka ti aty.
Ka nga ata që punojnë në administratë dhe kërcënohen që mos të dalë familja në protestë se do ju heqim nga puna. Kërcënohen fëmijët që do hiqen nga çerdhja.
Unë nuk e kuptoj se çfarë është më e rëndësishme se një banesë, një punë e gjen. Sado komode të jetë. Me pagën që marrin duan 100 vite ta paguajnë një banesë”, tha një protestues.