• |
ide | kryesore

Polonia, Suedia e Çekia refuzojnë të luajnë kundër Rusisë: FIFA i bën favorin Putin

-Instant, F1, Sport



Vendimi i marrë nga FIFA, në lidhje me Rusinë, pas refuzimeve të Suedisë, Polonisë e Cekisë për të luajtur ndeshjet e tyre kundër atyre që kanë sulmuar Ukrainën, është befasues. Byroja e Këshillit të FIFA-s nuk e ka përjashtuar Rusinë, por ka saktësuar vetëm se “asnjë kompeticion ndërkombëtar nuk do të luhet në territorin e Rusisë, teksa ndeshjet në “shtëpi” do të luhen në territor neutral dhe pa spektatorë”.

Edhe pse FIFA dëshiron të përsërisë qëndrimin e saj, duke dënuar përdorimin e forcës nga Rusia në pushtimin e Ukrainës, vendimi është i turpshëm, duke vënë në pozitë tashmë jo kombëtaren e agresorit Putin, por ato që janë shprehur hapur kundër luftës. “Në lidhje me kualifikueset e ardhshme të Kupës së Botës 2022, FIFA ka marrë parasysh qëndrimet e shprehura nëpërmjet mediave sociale nga Federata Polake e Futbollit, Federata e Futbollit të Republikës Çeke dhe Federata Suedeze e Futbollit dhe tashmë është angazhuar në dialog me të gjitha këto federata. FIFA do të qëndrojë në kontakt të ngushtë për të kërkuar së bashku gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme dhe të pranueshme”.

FIFA bën thirrje sërish për rivendosjen urgjente të paqes dhe për fillimin e menjëhershëm të dialogut konstruktiv – shkruhet në komunikatë -. Për të adresuar çështjet e lidhura me futbollin dhe në koordinim me UEFA-n, Byroja e Këshillit të FIFA-s – ku përfshihet Presidenti i FIFA-s dhe gjashtë Presidentët e Konfederatave – ka vendosur njëzëri të marrë masat e para të menjëhershme, në përputhje me rekomandimet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe kjo do të jetë në fuqi deri në një njoftim tjetër.

Sipas tyre, Federata anëtare që përfaqëson Rusinë do të marrë pjesë në çdo garë me emrin “Unioni i Futbollit të Rusisë (RFU)” dhe jo “Rusia”.
Asnjë flamur apo himn i Rusisë nuk do të përdoret në ndeshjet ku marrin pjesë ekipe nga Unioni i Futbollit të Rusisë. FIFA do të vazhdojë dialogun e saj të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA-n dhe organizata të tjera sportive për të përcaktuar çdo masë ose sanksion shtesë, duke përfshirë një përjashtim të mundshëm nga të gjitha garat, që do të zbatohen në të ardhmen e afërt nëse situata nuk përmirësohet sa më shpejt. Byroja e Këshillit të FIFA-s mbetet në gatishmëri për të marrë ndonjë nga këto vendime.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *