• |
ide | kryesore

Rusia jashtë sistemit SWIFT/ Si izolohen bankat dhe pse bllokohen “pasaportat e arta” të oligarkëve rusë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe aleatët evropianë thanë të shtunën se po vendosnin një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë, përfshirë dëbimin e disa bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave i njohur si SWIFT.

Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit e Komisionit Evropian, si dhe Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, thanë se gjatë ditëve të ardhshme do të zbatohen masa të reja.

“Së pari, ne angazhohemi të sigurojmë që bankatë caktuara ruse të hiqen nga sistemi i mesazheve SWIFT. Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e tyre për të operuar në nivel global”, thuhet në komunikatë.

Sistemi SWIFT shërben si ndërmjetës dhe ekzekutues i transaksioneve financiare ndërmjet bankave në mbarë botën. Masa e dytë kufizuese, thuhet më tej, është pengimi i Bankës Qendrore Ruse që të shfrytëzojë rezervat e saj ndërkombëtare në mënyra që “pengojnë ndikimin e sanksioneve tona”.

Aleatët thanë se angazhohen të veprojnë “kundër personave dhe subjekteve që lehtësojnë luftën në Ukrainë dhe aktivitetet e dëmshme të qeverisë ruse. Në mënyrë të veçantë, ne angazhohemi të marrim masa për të kufizuar shitjen e shtetësisë – të ashtuquajturat ‘pasaporta të arta’ – që lejojnë rusët e pasur të lidhur me qeverinë ruse të bëhen qytetarë të vendeve tona dhe të kenë qasje në sistemet tona financiare”. Në komunikatë thuhet se javën e ardhshme do të formohet “një grup punues transatlantik, që do të sigurojë zbatimin efektiv të sanksioneve financiare duke identifikuar dhe ngrirë pasuritë e individëve dhe kompanive të sanksionuara që ekzistojnë brenda juridiksioneve tona”.

Në komunikatë u dënua sërish sulmi i Moskës mbi Ukrainën. Lufta e Rusisë paraqet një sulm ndaj rregullave dhe normave themelore ndërkombëtare që kanë mbizotëruar që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat ne jemi të përkushtuar t’i mbrojmë. Ne do të kërkojmë llogari nga Rusia dhe kolektivisht do të sigurojmë që kjo luftë të jetë një dështim strategjik për Putinin. Ne qëndrojmë me popullin ukrainas në këtë orë të errët”.

Dekarata për izolimin e Rusisë nga sistemi Swift

Ne, udhëheqësit e Komisionit Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara dënojmë luftën e zgjedhur të Putinit dhe sulmet ndaj kombit dhe popullit sovran të Ukrainës. Ne qëndrojmë me qeverinë ukrainase dhe popullin ukrainas në përpjekjet e tyre heroike për t’i rezistuar pushtimit të Rusisë. Lufta e Rusisë përfaqëson një sulm ndaj rregullave dhe normave themelore ndërkombëtare, që kanë mbizotëruar që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat ne jemi të përkushtuar t’i mbrojmë. Ne do të kërkojmë llogari nga Rusia dhe kolektivisht do të sigurojmë që kjo luftë të jetë një dështim strategjik për Putinin. Javën e kaluar, krahas përpjekjeve tona diplomatike dhe punës kolektive për të mbrojtur kufijtë tanë dhe për të ndihmuar qeverinë dhe popullin ukrainas në luftën e tyre, ne, si dhe aleatët dhe partnerët tanë të tjerë në mbarë botën, vendosëm masa të ashpra ndaj institucioneve kryesore ruse dhe bankat, dhe mbi arkitektët e kësaj lufte, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin. Ndërsa forcat ruse lëshojnë sulmin e tyre ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, ne jemi të vendosur të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto që do ta izolojnë më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe nga ekonomitë tona. Ne do t’i zbatojmë këto masa brenda ditëve në vijim. Konkretisht, ne angazhohemi të ndërmarrim masat e mëposhtme:

Së pari, ne angazhohemi të sigurojmë që bankat e zgjedhura ruse të hiqen nga sistemi i mesazheve SWIFT. Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e tyre për të operuar në nivel global.

Së dyti, ne angazhohemi të vendosim masa kufizuese që do të pengojnë Bankën Qendrore Ruse të vendosë rezervat e saj ndërkombëtare në mënyra që minojnë ndikimin e sanksioneve tona.

Së treti, ne angazhohemi të veprojmë kundër njerëzve dhe subjekteve që lehtësojnë luftën në Ukrainë dhe aktivitetet e dëmshme të qeverisë ruse. Në mënyrë të veçantë, ne angazhohemi të marrim masa për të kufizuar shitjen e shtetësisë – të ashtuquajturat pasaporta të arta – që lejojnë rusët e pasur të lidhur me qeverinë ruse të bëhen qytetarë të vendeve tona dhe të kenë akses në sistemet tona financiare.

Së katërti, ne angazhohemi të hapim javën e ardhshme një grup pune transatlantik që do të sigurojë zbatimin efektiv të sanksioneve tona financiare duke identifikuar dhe ngrirë asetet e individëve dhe kompanive të sanksionuara që ekzistojnë brenda juridiksioneve tona. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, ne jemi të përkushtuar të zbatojmë sanksione dhe masa të tjera financiare dhe të zbatimit ndaj zyrtarëve dhe elitave ruse të afërta me qeverinë ruse, si dhe familjeve të tyre, si dhe mundësive të tyre për të identifikuar dhe ngrirë pasuritë që ata mbajnë në juridiksionet tona. Ne gjithashtu do të angazhojmë qeveri të tjera dhe do të punojmë për të zbuluar dhe penguar lëvizjen e përfitimeve të paligjshme dhe për t’u mohuar këtyre individëve mundësinë për të fshehur pasuritë e tyre në juridiksione anembanë botës.

Së fundi, ne do të rrisim ose koordinojmë punën kundër dezinformimit dhe formave të tjera të luftës hibride.

Ne qëndrojmë me popullin ukrainas në këtë orë të errët. Edhe përtej masave që po shpallim sot, ne jemi të përgatitur të marrim masa të mëtejshme për të kërkuar llogari nga Rusia për sulmin e saj ndaj Ukrainës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *