• |
ide | kryesore

Van Dijk rrëfen problemet psikologjike pas dëmtimit: “Kisha frikë se nuk do të kthehesha më ai që isha”

-Instant, Sport



Virgil van Dijk, në prag të finales së Carabao Cup kundër Chelsea, ka folur në mikrofonat e Daily Mail duke rrëfyer veçanërisht dëmtimin e sezonit të kaluar dhe vështirësitë e hasura në rikthimin e tij në fushë. 30-vjeçari këputi ligamentin e kryqëzuar të përparmë të djathtë, gjatë derbit kundër Everton pas një përplasje me portierin kundërshtar Pickford. Kanë kaluar 17 muaj nga ajo ditë, mbrojtësi është kthyer në fushë por nuk ishte e lehtë.

Holandezit i është dashur të përballet me dyshimet që do të lodhnin çdo lojtar që pëson atë lloj dëmtimi. Një dëmtim që mund t’i rrezikonte karrierën: “Ka dyshime në mendjen tënde nëse do të kthehesh i njëjti, gjithsesi është normale. Je plot dhimbje, nuk mund të bësh asgjë. Familja ime, veçanërisht gruaja ime, ishte e rëndësishme për mua për të kaluar këtë problem, por Andy Williams, kirurgu, ishte gjithashtu i rëndësishëm. Në parasezonin me djemtë në Austri, ndjeva nevojën për të ngjitur shkallët fizikisht dhe mendërisht për të arritur atje ku dua të jem. Objektivi ishte që të luaja ndeshjen e parë të sezonit dhe kisha disa dyshime. Nëse vrapon vetëm dhe ndihesh pak i ngurtësuar, fillon të pyesësh veten nëse do të jesh përsëri normal”.

Megjithatë, nuk bëhej fjalë vetëm për dyshime personale. Van Dijk vuri në dukje se, në çdo gabim të bërë, analistët dhe komentuesit televizivë theksonin se ai kurrë nuk do të kthehej të ishte mbrojtësi i para dëmtimit. Komente, që e kanë mërzitur shumë: “Ndonjëherë e merrja pak si të mirëqenë, se njerëzit silleshin sikur asgjë të mos kishte ndodhur dhe gjithçka ishte normale. Vërtet më duhej ta hiqja spinën dhe t’ia bëja të qartë vetes se gjithçka që po ndodhte ishte mjaft e mirë dhe duhet të isha krenar për këtë. Nuk është vërtet normale, pas dëmtimit që pata, të mund të luaja atë sasi ndeshjesh në nivelin që kisha arritur tashmë, për mendimin tim”.

Van Dijk më në fund këmbëngul se nëse ai nuk luan mirë në ndonjë ndeshje, nuk është faji i dëmtimit: “Në ndeshje, para pushimit, e ndjeja se kisha luajtur mirë, por ta mbaje atë nivel konstant dhe gjithashtu nivelin që të gjithë prisnin nga unë ishte gjithmonë si një presion. Jo se jam i pasigurt dhe duhet të kem gjithmonë konfirmim, aspak, por doja të kthehesha nga dëmtimi dhe të luaja numrin e ndeshjeve që kam luajtur deri më tani, të luaja tre ndeshje në javë dhe kjo gjë nuk duhej të anashkalohej. Në fakt, kjo u anashkalua për mendimin tim. Kam parë disa nga komentet për golin e Griezmann dhe e di që mund të kisha bërë më mirë. Në çdo ndeshje, ka raste kur mund të bënit më mirë. Dëmtimi nuk ishte problemi. Unë jam kritiku më i ashpër i vetes dhe gjithmonë do ta di kur i bëj gjërat mirë dhe kur nuk i bëj mirë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *