• |
ide | kryesore

“U shkelën të drejtat tona themelore”: Rusia ankimon në CAS përjashtimin e kombëtares nga UEFA e FIFA

-Instant, Sport



Federata Ruse e Futbollit nuk e pranon dhe ka njoftuar apelimin në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit (CAS) të Lozanës kundër përjashtimit të vendosur nga FIFA dhe UEFA të të gjitha ekipeve kombëtare të futbollit nga garat ndërkombëtare. Njoftimi zyrtar është shfaqur në faqen e institucionit ku sqarohet se padia do të jetë vetëm ndaj dy organizatave, duke kërkuar madje edhe dëmshpërblim dhe procedurë të përshpejtuar. Rusia, ndër të tjera, u përjashtua nga play-off-i për t’u kualifikuar në Kupën e Botës në Katar.

KOMUNIKATA E FEDERATËS RUSE
“Në kontekstin e një padie të vetme kundër dy organizatave, RFU (Federata ruse) do të kërkojë rikthimin e të gjitha ekipeve kombëtare të meshkujve dhe femrave të Rusisë në të gjitha llojet e turneve të futbollit në të cilat kanë marrë pjesë (përfshirë raundin kualifikues për Kupën e Botës në Katar), si dhe kompensimin e dëmeve, nëse ka”, lexohet aty.

“Me qëllim për të siguruar mundësinë e pjesëmarrjes së ekipeve ruse në ndeshjet e ardhshme të planifikuara, RFU do të insistojë në një procedurë të përshpejtuar për shqyrtimin e çështjes. Nëse FIFA dhe UEFA refuzojnë këtë procedurë, do të paraqitet një kërkesë për përfshirjen e masave të përkohshme, në formën e pezullimit të vendimeve nga FIFA dhe UEFA, si dhe garat në të cilat duhej të merrnin pjesë skuadrat ruse.

RFU beson se FIFA dhe UEFA nuk kishin bazë ligjore kur vendosën të përjashtonin ekipet ruse. Ata shkelën të drejtat themelore të RFU-së si anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, duke përfshirë të drejtën për të marrë pjesë në gara. Për më tepër, vendimi për përjashtimin e kombëtares nga kualifikueset në Botërorin 2022 është marrë nën presionin e rivalëve të drejtpërdrejtë në play-off, të cilët kanë shkelur parimin e sportit dhe rregullat e lojës së ndershme.

Federata Ruse e Futbollit gjithashtu nuk pati të drejtë të shprehte qëndrimin e saj, gjë që shkel të drejtën themelore të mbrojtjes. Për më tepër, në marrjen e vendimeve, FIFA dhe UEFA nuk kanë marrë parasysh opsionet e tjera të mundshme për veprim, me përjashtim të përjashtimit të plotë të Rusisë. Detaje të tjera për paraqitjen e ankimit, duke përfshirë edhe kohën e shqyrtimit të ankesës, do të bëhen të ditura më vonë”, përfundon komunikata.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *