• |
ide | kryesore

Zgjedhjet e pjesshme lokale/ Vijon numërimi në katër bashkitë, PS dominon në tre prej tyre

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Numërimi i votave të zgjedhjeve të 6 marsit vijon tanimë në 4 bashki: Lushnje, Dibër, Durrës e Shkodër. Kjo pasi Partia Socialiste ka marrë fitoret e para në Vorë e Rrogozhinë, respektivisht në Vorë me kandidatin Blerim Shera dhe në Rrogozhinë me Edison Memollën. Në Vorë, Shera kryesoi me 7530 vota, duke lënë pas kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Lulzim Vrana me 2589 vota dhe atë të Partisë Demokratike, Ymer Marku që mori vetëm 687 vota. Ndërsa Memolla në Rrogozhinë ka marrë 5401 vota. Vendin e dytë e ka marrë Ferdinand Saraçi, kandidat i Partisë Demokratike, i cili ka marrë 21.8% të votave, ndërsa i fundit ka dalë Hekuran Xhani nga “Shtëpia e Lirisë”, i cili mori 17.8% të votave.

Bashkia e Lushnjës është drejt përfundimit të procesit të numërimit pasi ka hapur 129 kuti votimi nga 157 gjithsej. Duket se kandidatja e Partisë Socialiste, Eriselda Sefa po shkon drejt zgjedhjes si kryetarja e re e Bashkisë për 1 mandat 1-vjeçar, pasi deri tani ka 58% ose ndryshe 16782 vota, e ndjekur nga koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’ me kandidatin Elton Bana me 9210 vota ose 26%, ndërsa me vetëm 3183 vota ose vetëm 11%, renditet Indrit Sefa nga Partia Demokratike.

Procesi i numërimit në Dibër ka nisur pak me vonesë si pasojë e kushteve të këqija të motit që kanë ngadalësuar transportin e kutive dhe fletëve të votimit për në qendrën e numërimit. Nga 101 kuti votimi, deri më tani janë numëruar 44. Nga numërimi i bërë deri në këto momente, Rrahim Spahiu, kandidati i Partisë Socialiste kryeson me 7281 vota, i dyti renditet kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Premtim Kryemadhi me 2235 vota ndërsa i treti kandidati i PD-së, Luan Haka me 1859 vota. Me vetëm 45 vota deri më tani është kandidati i Lëvizjes së Re, Dritan Torba.

Edhe në Durrës situata është pak a shumë e ngjashme. Emiriana Sako e Partisë Socialiste po kryeson garën me 20 755 vota ose thënë ndryshe 57.78% të të gjithë votave të numëruara. Në vend të dytë renditet kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka që ka 28.90% të votave ose thënë ndryshe 10 379 vota. Në vendin e tretë deri më tani është Luan Hoti i Partisë Demokratike me 4784 vota ose 13.32% . Deri më tani në këtë bashki janë numëruar 181 nga 337 kuti votimi.

Në ndryshim nga 3 bashkitë e tjera të mbetura, në Shkodër kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Bardh Spahia kryeson me 12,885 vota, 43.6%. E dyta renditet kandidatja e PS-së Majlinda Angoni me 11,691 vota, ose 39.6%. Xhemal Bushati numëron 4944 vota, gati 16.7% të votave. ©Lapsi.al

 

 

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *