Gjatë konferencës për krizën energjetike, Rama tha se çmimi i naftës lëviz në çdo moment, duke theksuar se mund të ketë ndryshuar edhe gjatë kohës që po mbahej konferenca.

Më tej, kryeministri shtoi se “…jemi në një luftë shumë me impakt, se nga çdo gjë tjetër që kemi parë deri më sot në jetën tonë. Ne duhet të përgatitemi për një periudhë shumë të vështirë”.

“Keni miq të afërt në Itali, Greqi, pyetini se çfarë jete po bëjnë sot që flasim me gazin, me faturën e energjisë elektrike. Pyetini sa ju ka vajtur. Problemi është që ne kemi hyrë në treg si ekonomi tregu dhe nafta, energjia, apo të tjera, blihen në tregun e lirë, që nuk pyet sa e ke rrogën, çmimi është i njëjti. E përsëris edhe njëherë, sot prapë jemi mirë, se ka dhe më keq. Përfaqësuesi i qeverisë ruse dje kërcënoi se Evropa duhet të përgatitet për 300 dollarë fuçia e naftës. Kjo është më shumë se dyfishimi i çmimit aktual, i cili është një çmim marramendës në raport me ku ishim. Lëviz cdo minutë çmimi, ishim 127 kur nisëm konferencën, tani nuk e di sa mund të jemi. Këtu problemi më i madh që është përpara nesh nuk është çmimi, është mungesa. Lufta dhe gjithë kjo shtresë e luftës që zhvillohet në fushë ekonomike me Rusinë ka mungesën. Flitet sot se kjo krizë e energjisë, që u përqesh kur e paralajmërova unë, mund të zgjaste deri në qershor, pa qenë lufta në mes fare, me çmime që sot janë kapërcyer dhe sot kemi vajtur në 550 euro të një malli që ishte 52 euro në të njëjtën kohë të vitit të shkuar, dhe flitet për 1 mijë, dhe problemi është që nuk do të ketë energji.

Sot që flasim është i njëjti problem që ndihet, nuk ka në tregun evropian. Ky problem i mungesës është kryesori. Kur flasim për një plan kursimi, jemi në kushtet, kur jemi realistë. Është luftë mo. Unë nuk hyj tek ata që thonë se është fillimi i Luftës së III Botërore, por fakti që kjo thuhet nga njerëz me peshë, do me thënë se jemi në një luftë shumë me impakt, se nga çdo gjë tjetër që kemi parë deri më sot në jetën tonë. Ne duhet të përgatitemi për një periudhë shumë të vështirë. Fatmirësisht po dalim nga periudha e dimrit, dhe tani na duhet më pak, por po dimrin e ardhshëm? Çfarë ndodh dimrin e ardhshëm, do ngremë duart lart? Duhet të jemi shumë realistë. Sot jemi jashtëzakonisht qetë, në raport me çfarë mund të ndodhë. Jemi shumë të shqetësuar në raport me çfarë ishim para 10 ditësh. Agresioni ushtarak e shpërtheu fare kutinë. Kjo është një kuti e re, brenda së cilës duhet të adoptohemi”, deklaroi kryeministri Rama.