• |
ide | kryesore

Mungesa e fuqisë punëtore/ Pagat e bizneseve rekord në fund të 2021, por i zhvlerëson inflacioni

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Paga mujore mesatare në vend në fund të vitit 2021 arriti në 59.5 mijë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Sipas të dhënave të INSTAT, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, pagat janë rritur me 8.4%, ose 4,614 lekë në muaj më shumë.

Edhe në raport me tremujorin e tretë pagat janë rritur me 5.5%, por në muajt e fundit të vitit gjithnjë raportohen paga më të larta për shkak të shpërblimeve të fundvitit.

Rritja e pagave në tremujorin e katërt 2021 në raport me të njëjtën periudhë 2020 është udhëhequr nga “Informacioni dhe komunikacioni”, paga mesatare e të cilit arriti në 90.7 mijë lekë, me një rritje prej 9.5%. Ky profesion është i dyti më i paguari në vend, pas “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”. Rritja e kërkesave për shërbime informatike pas pandemisë dhe eksodi i profesionistëve të IT-së po nxit rritjen e pagave në ketë sektor.

“Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” mbeten më i paguari me 122.1 mijë lekë në muaj dhe rritje 6% në krahasim me fundin e 2020-s.

Pas IT-së dhe shërbimeve financiare e bankare, më të paguarit janë ata që punojnë në administratë. “Administrata publike, arsimi; shëndetësia” kishte pagë mujore prej 70.7 mijë lekësh në fund të 2021, me rritje 6.4% e ndikuar kryesisht nga rritja e pagave të mjekëve si rrjedhojë e pandemisë.

Rritje kanë pasur dhe ata që punojnë në aktivitetet e “Pasuri të paluajtshme; Aktivitete shkencore, profesionale”, me 5.7%, në 66 mijë lekë/muaj.

“Industria”, e cila gjithashtu ankohet se vuan për mungesën e fuqisë punëtore ka rritur pagat me 11.2%.

Rritjen më të lartë të pagave për punonjësit e tyre e ka bërë sektori “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, me 11.8%, duke arritur në rreth 46 mijë lekë. Sidomos sektori i turizmit po ankohet për mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe konkurrencë të larta, duke detyruar që të paguajë më shumë për punonjësit.

Ndërtimi gjithashtu po paguan 8.2% më shumë, me një pagë mesatare mujore që arriti në 45 mijë lekë.

Duke pasur parasysh nivelin e lartë të inflacionit, që në dhjetor arriti në rreth 3%, rritja reale e pagave është rreth 5% për të njëjtën periudhë. Ndërsa shtrenjtimi i ndjeshëm i të gjitha produkteve në muajt e parë të këtij viti e bën pothuajse të pavlefshme rritjen e pagave, ndërsa zhvlerëson të ardhurat për ata që nuk kanë përfituar rritje në këtë periudhë.

Në shkurt, inflacioni arriti në gati 4%, niveli më i lartë në një dekadë. /Monitor

https://www.monitor.al/mungesa-e-fuqise-punetore-bizneset-rrisin-pagat-arrijne-rekord-ne-fund-te-2021-por-i-zhvlereson-inflacioni8/

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *