• |
ide | kryesore

Rrëfimi prekës i një profesori ukrainas në “The Guardian”/ Pse nuk dua të iki nga Kievi

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ne përpiqemi ta jetojmë jetën tonë këtu në Kiev sa më normalisht të mundemi në këto rrethana. Ne e dimë se sa afër jemi në vijën mes jetës dhe vdekjes. Kur ka kaq shumë vrasje përreth, instinkti ynë i vetëm është të mbijetojmë.

Eci rreth qytetit tim të bukur, Kievit çdo ditë dhe bëj fotografi të disa prej vendeve më të bukura.

Unë jetoj në qendër të qytetit. Shumë gjëra këtu kanë mbetur normale. Ka pasur disa granatime, por deri tani jemi mirë. Ne jemi ende në gjendje të blejmë të gjitha gjërat thelbësore – mish, bukë dhe qumësht – dhe rrjeti telefonik këtu ka funksionuar në mënyrë perfekte.

Një gjë që ka ndryshuar është se njerëzit në qytet janë bërë më të mirë që nga fillimi i luftës. Në dyqane të gjithë janë kaq të sjellshëm me njëri-tjetrin. Isha në radhën e farmacisë dhe dikush kishte nevojë për insulinë. Të gjithë e lanë atë person të kalojë në krye të radhës. Nëse dikush mban shishe me ujë, ai do t’ju tregojë se ku ka mundur t’a blejë atë.

Në disa mënyra, pandemia e Covid-it na përgatiti për luftën. Unë punoj në një universitet këtu dhe kam bërë shumë punë me studentët nëpërmjet internetit. Tani ka filluar lufta dhe unë vazhdoj të punoj online.

Nuk kam asnjë formim ushtarak apo stërvitje, por nuk dua të largohem nga qyteti im. Pas 30 vitesh pavarësi, nuk dua që ne të humbasim demokracinë për shkak të agresionit rus.

Prindërit dhe gjyshërit e mi ishin kritikë ndaj qeverisë gjatë epokës sovjetike. Mund ta kujtoj kohën kur isha fëmijë dhe kur shkonim në dyqan kishte vetëm dy gjëra në të, një lloj këpucësh dhe batanije shumë të thjeshta. Dritarja jonë e vetme përtej perdes së hekurt ishin dy gazeta në gjuhën angleze – Moscow News dhe Morning Star, të cilat mund të gjendeshin vetëm në kioska të caktuara. Mund të përmbledh me një fjalë ndjenjat e mia kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë: “eufori”.

Ne nuk duam t’i kthehemi asaj, ndaj po luftojmë agresionin rus.

Nuk ka shumë njerëz në rrugë, por një lloj normaliteti është kthyer. Gjithçka në qytet është ende e gjallë dhe lulëzon. Edhe pse shumë gra me fëmijë të vegjël janë larguar, qyteti është ende i balancuar nga ana gjinore!

Kur filloi lufta, të gjithë në Kiev ishin të tronditur, të paralizuar. Por ne jemi duke u përshtatur.

Pjesa më e keqe e kësaj është frika për sigurinë e prindërve të mi. Babai im është 84 vjeç dhe plotësisht i verbër dhe nëna ime është 81. Ata dhe macja e tyre me nofkën “Majmuni” janë bllokuar në apartamentin e tyre në qytetin e Sumy, ku ka pasur shumë bombardime.

Është shumë e rrezikshme për mua të shkoj tek ata dhe e pamundur që ata të evakuohen. Ata dëgjojnë shumë shpërthime, por deri tani janë në rregull.

Nuk kam parë kurrë më parë stacionin tonë hekurudhor kaq të mbushur me njerëz që niseshin për në Lviv dhe pjesë të tjera të Ukrainës perëndimore. Por shumë refuzojnë të largohen nga Kievi. Jemi të vendosur të qëndrojmë.

Ne e dimë se rusët po na rrethojnë dhe në qytet pritet që diçka të ndodhë në ditët në vijim.

Putini dëshiron të na kthejë në shekullin e kaluar. Ne duhet të kthehemi në shekullin e 21-të.

Unë kam shumë miq ndërkombëtarë dhe ata kanë shprehur kaq shumë solidaritet me ne. Gjëja më pozitive që ka dalë nga lufta është uniteti ynë i shtuar. Ne jemi të fortë këtu në Kiev. Bota e jashtme nuk mund ta shohë gjithë vendosmërinë e ukrainasve.

Ata shohin vetëm majën e një ajsbergu shumë të madh. Nën atë majë ne jemi edhe më të fortë.

©Marrë nga “The Guardian”, përktheu në shqip LAPSI.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *