• |
ide | kryesore

Titull? Jo, më shumë mbijetesë: Teuta rrezikon ‘katastrofën’ pas humbjes me Kastriotin

-Instant, Sport



Kampionë në fuqi, një status-quo që në Durrës as nuk duan ta kujtojnë, në kohën kur në gjendjen aktuale të renditjes së skuadrës i krijon dhimbjen e ndryshimit radikal të objektivëve e që Kupa e Shqipërisë vetëm mund ta zbehë. Askush në kampin e Teutës nuk arrin ta kuptojë si një skuadër që fitoi titullin në verën e kaluar, në marsin e këtij sezoni e sheh veten në rrezikun e rënies nga kategoria. Pikërisht kështu, sepse vendi i gjashtë me 28 pikë nuk tregon fare sa pranë është dështimi i bregdetarëve, që nga zona e rënies, konkretisht me Dinamon, e ndajnë vetëm 5 pikë.

Luhatja e rezultateve, një trend që nuk u ndryshua as nga lëvizjet e pankinës mes Martinit e Arapit, është bërë më drastike në katër javët e fundit në të cilat Teuta ka marrë vetëm një fitore, atë kundër Egnatias, edhe rrogozhinasit një kundërshtar direkt për mbijetesë. U duk sikur pikërisht aty durrsakët i dhanë drejtim sezonit të tyre drejt qetësisë në kampionat. Qetësi që zgjati vetëm pak ditë, sepse Kastrioti në Loro Borici i rrëmbeu një fitore që e ka kthyer panikun prezent në ambjentin e Teutës.

Nuk është një frikë e pajustifikuar në fakt, jo vetëm se përpara është vigjilja e ndeshjes me Lacin, por sepse skuadra e Arapit u konfirmua pa ide, kaotike dhe dhuruese. Një gol si ai i pësuar në Loro Borici nga Kaina Nunes përligj rrëmujën taktike që mbizotëron dhe neglizhencën e një skuadre që nuk e kupton batakun ku ka rënë. Tani, është koha që lojtarët të shtrëngohen rreth trajnerit e të luftojnë për të evituar mbijetesën që është më pranë se sa e mendonin. Vetëm kështu mund të përqendrohen te gjysëmfinalet e Kupës, për të shpëtuar një sezon të komplikuar e pak të thuash për tu harruar…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *