• |
ide | kryesore

Champions/ Sezoni i dytë radhazi pa skuadra italiane në çerekfinale: në rrezik një vend në renditjen Uefa

-Instant, F1, Sport



Italia për të dytin sezon radhazi nuk çon asnjë ekip në çerekfinale të Champions League. Nuk kishte ndodhur për njëzet vjet, por të paktën në atë kohë klubet italiane nuk qëndruan të shihnin: në vitin 2003 Inter, Juventus dhe Milan ishin në gjysmëfinale, me dy të fundit që luanin për kupën dhe kuqezinjtë që e ngritën atë nën qiellin e Mançesterit. Një skenar që duket thuajse i paimagjinueshëm, si për vitin e ardhshëm ashtu edhe për ata që e ndjekin menjëherë, duke parë situatën aktuale. Prandaj çështja e konkurrencës së futbollit italian po bëhet gjithnjë e më serioze. Në tetë edicionet e fundit, për katër herë asnjë skuadër italiane nuk ka arritur në këtë fazë të kompeticionit. Në vitin 2014 Milani u ndalua nga Atletico Madrid, në 2016 Juventus dhe Roma u dorëzuan ndaj Bayern Mynih dhe Real Madrid. Nga ana tjetër, vitin e kaluar bavarezët flakën jashtë Lazion, bardhezinjtë dolën me Porton dhe Atalanta nuk ia doli të kalonte Real Madridi. Dhe tani ndodhi sërish: me eleminimet e Interit dhe Juventusit.

PARAELEMINATORET – Disa shenja ishin dhënë mes 2010 dhe 2018, kur në gjashtë nga tetë raste klubet e Serie A ishin eleminuar në para eleminatoret e Ligës së Kampionëve, duke rënë në Ligën e Evropës. Sampdoria humbi ndaj Ëerder Bremen, Udinese u rrëzua fillimisht nga Arsenali dhe më pas nga Braga. Napoli dështoi në misionin e tij duke u dorëzuar ndaj Athletic Bilbao, e njëjta gjë ndodhi me Lazion kundër Bayer Leverkusen dhe me Romën kundër Portos. Vera solli lajme të mira vetëm në vitin 2013, me suksesin e dyfishtë të Milanit kundër PSV-së dhe në vitin 2017, kur Napoli i Sarrit mbizotëroi ndaj Nice.

ÇËSHTJA RENDITJE — Është e qartë se performanca jokonsistente në kupa ka rezultuar në pozicione pak ekzaltuese në renditjen e klubeve. Pas momentit të fundit të vërtetë të lavdisë në vitet 2000, tranzicioni pas tripletës të Interit nuk ishte aspak pozitiv në këtë drejtim. I njëjti sezon magjik i zikaltërve, që kulmoi në vitin 2010 me fitoren e Champions League, kishte gjeneruar vendin e 8-të në renditje, me AC Milan menjëherë pas tyre. Dyshja milaneze ishte ripozicionuar një shkallë më poshtë vitin e ardhshëm, i fundit në të cilin Italia mund të numëronte dy skuadra në dhjetëshen e parë. Interi rifitoi lartësinë duke arritur në vendin e shtatë në sezonin 2012/13, ndërsa Milani rrëshqiti fillimisht në vendin e 12-të dhe më pas në vendin e 14-të. Në dy sezonet në vijim skuadrat italiane nuk ishin as në Top 10: Milan (11), Inter (13) dhe Juventus (16) e pasi kërcënuan elitën në 2014 me finalen e Berlinit, bardhezinjtë fituan pozicione, duke u ngjitur në vendin e 14-të (Napoli i 20-të). Finalja e dytë, e humbur kundër Real Madridit, e çoi Juventusin në vendin e 5-të, të cilin e mbajti deri në fund të sezonit të kaluar; në këtë periudhë fillimisht Napoli dhe, më pas, Roma u bënë skuadra e dytë italiane në renditje, duke arritur maksimumin përkatësisht në vendin e 16-të dhe të 13-të.

SITUATA AKTUALE — Arritjet e pakta të dy viteve të fundit megjithatë i kanë shpëtuar italianët nga pasoja më të këqija. Interi, pas humbjes nga Sevilla në finalen e Europa League 2020, u ngjit nga vendi i 33-të në vendin e 23-të të zënë sot. Roma ka përmirësuar rezultatin me gjysmëfinalet e vitit të kaluar, është e 12-ta. Impresionues sprinti i Atalantës, duke kaluar nga vendi i 48-të në 2020-ën, në vendin e 25-të aktual. Juventusi është i teti dhe ka humbur tre pozicione në krahasim me vitin 2021; pavarësisht se janë eliminuar nga Villarreal, ata mund të mbeten aty nëse Atletico Madrid nuk shkon shumë larg në Champions League. Napoli (24), Lazio (30), Milan (43) dhe Torino (100) plotësojnë tablonë në njëqind pozicionet e para. Italia, si federatë, mund të shkojë nga e treta në të katërtën, në favor të Gjermanisë, por sipas të gjitha gjasave do të mbetet ndër katër të parat: Franca është shumë larg për ta kaluar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *