• |
ide | kryesore

Shërbimi sekret rus rrëmben gazetaren ukrainase

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shërbimi sekret rus, FSB dyshohet se ka rrëmbyer një gazetare të re ukrainase pak pasi makina e saj u qëllua me armë.

Kolegët e saj thanë se Victoria Roshchina, e cila raportonte nga vija e frontit në Ukrainën lindore dhe jugore prej fillimit të konfliktit muajin e kaluar, dyshohet se u mor nga Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse.

Gazeta “Hromadske”, për të cilin Victoria po punonte, tha se atyre iu ishte komunikuar se më 16 mars ajo ishte arrestuar nga FSB.

Asgjë nuk dihet aktualisht për vendndodhjen e saj ndaj kolegët i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojë në zbulimin e më shumë informacioneve që mund të çojnë në lirimin e Victoria.

Pak para rrëmbimit, Victoria kishte përgatitur raporte për lëvizjet e trupave ruse në rajonet Zaporizhzhia dhe Donetsk.

Ajo kishte qenë edhe në Energodar afër Zaporizhzhia, ku forcat ruse pushtuan termocentralin më të madh bërthamor në Evropë.

Ajo po planifikonte të udhëtonte në qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku qindra mijëra njerëz janë pa ujë, ngrohje ose energji, por kolegët e saj humbën kontaktin me të.

Redaksia e “Hromadske” tha në një deklaratë se “kanë bërë të gjitha përpjekjet për të liruar gazetaren në rrugë private, por kjo rezultoi e paefektshme.

Ndaj, ne i bëjmë thirrje komunitetit ukrainas dhe ndërkombëtar që të bashkohen për lirimin e gazetares së Hromadske Victoria Roshchina” – thuhet në deklaratë.

Në postimin më të fundit të Victoria-s në Facebook më 8 mars, ajo shkroi: “Nuk do ta fal kurrë Rusinë”. Victoria tha se rusët qëlluan mbi automjetin e tyre, pavarësisht se kishin një shenjë të qartë që lexonte “PRESS”.

Ata ishin detyruar të braktisnin makinën dhe të fshiheshin në një fushë përpara se të shpëtoheshin nga disa civilë. Ajo tha se kur u kthye në makinën e saj, laptopi, kamera, çanta e shpinës dhe cigaret ishin marrë.

“Në fshatra dhe qytete të vogla, pushtuesit e ndiejnë veten “heronj” – qëllojnë mbi civilët, djegin makina, vrasin, plaçkitin.

Ata e kthejnë jetën e njerëzve në ferr, duke traumatizuar psikikën e fëmijëve. Ata kanë marrë mjetet e mia, por nuk do të më heqin dëshirën për të treguar të vërtetën e krimeve të tyre.

Këtë herë ndoshta më shpëtoi një mrekulli, por Rusinë nuk do ta fal kurrë. Asnjëherë. Ata do të digjen në ferr. Dhe patjetër do të sillen para drejtësisë” – tha gazetarja.

Raportet thonë se edhe ukrainas të tjerë të njohur janë rrëmbyer nga Rusia që nga fillimi i luftës. Javët e fundit janë marrë të paktën dy kryetarë bashkie. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *