• |
ide | kryesore

Meta dekreton 3 ligje, dy janë marrëveshje me Kosovën

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Presidenti Ilir Meta ka dekretuar 3 ligje. Bëhet fjalë për 2 marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë, njëra për sigurimet shoqërore dhe tjetra për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit”. Ligji i tretë është marrëveshja mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin Europa Krijuese (2021-2027)”.

Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore u nënshkrua pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në qytetin e Elbasanit. Në bazë të marrëveshjes, qytetarët e të dy vendeve do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrë lindje; nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet.

Marrëveshja mundëson që të ketë eksportim të pensioneve dhe bashkim të periudhave, në mënyrë që të sigurohet një pension sa më dinjitoz për të gjithë personat që kanë pasur mundësinë të punojnë në të dy anët e kufirit. Negociatat mes Shqipërisë dhe Kosovës për nisën në vitin 2020 dhe kaluan në dy raunde. Ato përmbyllën procesin e hartimit dhe miratimit të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore në datat 18-19 Nëntor, në Prishtinë.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje këto ligje:

– Ligj nr. 22/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin Europa Krijuese (2021-2027)”.

Aderimi i Republikës së Shqipërisë në Programin “Europa Krijuese: krijon një dritare të re, që u mundëson të drejtën subjekteve juridike të së drejtës shqiptare, të cilët operojnë në fushën e kulturës e artit, të aplikojnë dhe të marrin pjesë në aktivitetet e Programit Europa Krijuese (2021-2027), duke përfituar mbështetje financiare, ndërvepruar dhe shkëmbyer praktikat më të mira me aktorë të tjerë të fushave prioritare të këtij programi në nivel europian.

– Ligj nr. 23/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për sigurime shoqërore”.

Krijimi i mundësive të përfitimit të pensioneve nga shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, si dhe për shtetasit kosovarë, të cilët vijnë për të punuar në Shqipëri, është i vonuar. Mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk duhet të ketë asnjë barrierë që pengon qytetarët nga të dy anët e kufirit, të përfitojnë nga skemat e mbrojtjes shoqërore, duke respektuar parimin e trajtimit të barabartë, me synimin parësor për mirëqenien më të lartë dhe trajtimin më të mirë të tyre.

– Ligj nr. 24/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit”.

Miratimi i kësaj marrëveshjeje me Republikën e Kosovës është vetëm hapi i parë drejt thjeshtëzimit e lehtësimit të procedurave dhe të masave të lidhura me regjimin e trafikut kufitar lokal e të lejeve për këtë qëllim përgjatë kufirit.

Për të mundësuar realisht lehtësimin e qarkullimin e banorëve të zonave kufitare, nevojitet që autoritete shqiptare të marrin pa vonesë masa për nxjerrjen e akteve rregullatorë në zbatim të marrëveshjes, duke shmangur çdo lloj burokracie.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *