Ndonëse konflikti në Ukrainë ka hyrë në ditën e 34-të, sulmet nuk ndalen. Ndërsa bota përgatitet për një raund të ri bisedimesh mes dy palëve, numri i të vdekurve vazhdon të rritet.
Këtë të martë, në pallatin Dolmabahçe në Stamboll kanë nisur bisedimet e paqes ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase. Teksa arrinin në këto ambiente Ministri i Jashtëm ukrainas ka këshilluar negociatorët që të mos hanë, pinë e të mos prekin asgjë. Kuleba ka paralajmëruar negociatorët të mos hanë ose pinë kur negociojnë me Rusinë, pasi pronari i Chelsea, Roman Abramovich dyshohet se u helmua.
“Unë këshilloj këdo që shkon për negociata me Federatën Ruse të mos hajë apo pijë asgjë. Dhe, mundësisht, shmangni prekjen e çdo sipërfaqeje”, -tha ai.
Nga ana tjetër, para takimit, Ministri i Jashtëm rus tha se Moska shpreson që takimi do të arrijë qëllimet e tyre themelore. Raundi i fundit i bisedimeve u mbajt afro dy javë më parë, pas negociatave më të hershme ballë për ballë në Bjellorusi. ©Lapsi.al