I shumëkërkuari Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e djeshme pas një operacioni nga forcat RENEA, vetëm dy orë pas atentatit ndaj Talo Çelës. Ndërkohë detaje të reja kanë dalë nga ky arrestim që u krye mbrëmjen e djeshme në qytetin e Fierit, vetëm pak orë pas përplasjes me armë që u përfshi në qytetin e Elbasanit. Mësohet se gjatë operacionit bashkë me Nuredin Dumani u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shetasit Henrik Hoxhaj, 40 vjeç, i cili u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe një pistoletë në automjet. Gjatë operacionit policor, u kapën edhe dy persona të tjerë për të cilët po punohet për sqarimin e pozitës së tyre si dhe lidhjet që ata kanë me personin e shumë kërkuar Nuredin Dumani.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano doli në konferencë në orën 1:00 të mëngjesit, ku dha detaje nga atentati i ndodhur pasditen e së martës në Elbasan.
“Nuredin Dumani në momentin e kapjes ishte i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij sipas mjekëve është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë ne qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore. Deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri kallashnikov, (një kallashnikov është sekuestruar nga Policia e Elbasanit)“, tha Nano në konferencë.