• |
ide | kryesore

“Fyerje raciste, hedhje objektesh e lazer”: Egjipti denoncon Senegalin, FIFA nis hetimin

-Instant, Sport



FIFA ka nisur një hetim për ndeshjen mes Egjiptit dhe Senegalit. Dy kombëtaret afrikane dolën në fushë në orët e kaluara për play off-in e Botërorit Katar 2022. Sadio Mané dhe shokët e tij fituan 3-1 me penallti duke siguruar një vend në Katar, por në përfundim të sfidës nuk kanë munguar polemikat. Egjiptianët, në fakt, kanë bërë një denoncim kundër Senegalit për trajtimin e marrë në Dakar.

Në ankimim thuhet se lojtarët kanë marrë fyerje raciste, por jo vetëm kaq. Tifozët kanë sulmuar autobusin e Egjiptit, por kanë hedhur edhe sende në drejtim të lojtarëve gjatë nxemjes dhe pas ndeshjes. Për më tepër, gjatë penalltive, lojtarët janë verbuar nga lazerët jeshilë të drejtuar ndaj tyre.

Federata egjiptiane ka konfirmuar denoncimin në një shënim zyrtar: “Ekipi ynë i është nënshtruar fyerjeve raciste, madje edhe me pankarta, veçanërisht kundër Mohamed Salah. Më tej, lojtarët tanë u terrorizuan nga tifozët senegalezë, të cilët hodhën drejt tyre shishe dhe gurë teksa po kryenin nxemjen para ndeshjes. Me mbërritjen në stadium, autobusi ynë u sulmua. Të shumtë xhamat që u thyen dhe që shkaktuan plagë. Gjithçka është e dokumentuar me foto dhe video që i kemi bashkangjitur denoncimit”.

FIFA, përmes një njoftimi për shtyp, njoftoi se kishte nisur një hetim dhe premtoi se do të shqyrtonte raportet e ndeshjes përpara se të vendoste për hapat e ardhshëm: “FIFA aktualisht është duke analizuar raportet zyrtare të ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës FIFA mes Senegalit dhe Egjiptit. Informacioni përkatës që përmban procesverbali i ndeshjes do të vlerësohet nga organet kompetente disiplinore përpara se të vendoset për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren”.

Për cështjen ka ndërhyrë edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Senegalit, Augustin Sengho, i cili është edhe nënkryetar i konfederatës afrikane të futbollit: “Natyrisht që isha në stadium, por nuk pashë asnjë objekt të hedhur nga tribuna kundër egjiptianëve. E nëse lazerët janë përdorur vërtet, kjo është hera e parë që ndodh në Senegal, e kundërta me atë që ndodh në Egjipt. Megjithatë, tani presim rezultatet e hetimit për atë që ka ndodhur”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *