• |
ide | kryesore

Analiza në BBC/ Vuçiç së shpejti përballë zgjedhjes: Rusinë ose BE-në

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Mund të mos jetë hera e parë që një frigorifer shtëpie bën një paraqitje të spikatur në një fushatë zgjedhore. Por kur presidenti i Serbisë doli prej tij në kuzhinën e një çifti në një video promovuese, ajo bëri shumë të qeshin, por nuk munguan as kritikat.

Megjithatë, Aleksandar Vuçiç vazhdoi të paraqiste një listë të gjatë të arritjeve të Partisë së tij Progresive gjatë dekadës së tyre në pushtet. Reklama ishte një përgjigje tallëse për kritikët e presidentit që ankohen se Vuçiç është i kudondodhur.

Vuçiç në frigorifer, profesori i njohur tallet keq me të | Gazeta Fjala

Sa u përket partive opozitare të Serbisë, paraqitjet e shpeshta të presidentit – dhe zakonisht me kornizë pozitive në media – janë dëshmi e një marrëdhënieje midis Partisë Progresive dhe gazetave e TV-ve më të njohur të vendit.

“Kontroll absolut i medias”

Opozita thotë se kjo e bën të vështirë sfidimin e një partie që ka fituar 4 zgjedhjet e fundit parlamentare dhe që po kërkon një “hat-trick” të fitoreve presidenciale në zgjedhjet e së dielës.

“Regjimi ka një kontroll absolut të medias” – ankohet Borko Stefanoviç, nënkryetar i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë së qendrës së majtë.

Monitoruesi i zgjedhjeve CRTA raporton se përfaqësuesit e qeverisë kanë pasur 2/3 e mbulimit televiziv kombëtar gjatë fushatës zgjedhore dhe 3/4 e kohës së transmetimit në edicionet e lajmeve.

Zyra serbe e organizatës kundër korrupsionit Transparency International i referohet gjithashtu “dominimit mediatik të Aleksandar Vuçiqit dhe listës së tij të kandidatëve”.

Vëzhguesit thonë se Vuçiç ka shkrirë linjat midis detyrave të tij presidenciale dhe aktiviteteve të fushatës. Ata përmendin si shembull hapjen në mars të seksionit të parë të një linje të re hekurudhore me shpejtësi të lartë midis Beogradit dhe Budapestit.

Teksa treni i ndërtuar nga Zvicra po shkonte drejt qytetit të dytë të Serbisë, Novi Sadit, ekipet e kamerave u vërsulën rreth sediljeve prej lëkure të klasit të parë ku Vuçiç po priste kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

PM Orbán: "Serbs and Hungarians must rethink a number of things" - Daily News Hungary

Me të mbërritur, një turmë me disa mijëra njerëzish po prisnin të dëgjonin një fjalim nga dy udhëheqësit përpara një stacioni të rinovuar. Gjatë udhëtimit të kthimit, Vuçiq i tha BBC-së se akuzat e opozitës për dominim në media ishin të padrejta.

“A doni që unë të jem i dobishëm për kundërshtarët e mi politikë duke i lënë të më rrahin, apo çfarë? Unë nuk përmenda asnjë emër të kundërshtarëve të mi politikë në këtë fushatë. Nuk kam asnjë fushatë kundër tyre – dhe ka një fushatë 24/7 kundër meje. Unë e di një gjë: jam më i zellshëm dhe më i përkushtuar se ata. Kjo është ajo që njerëzit këtu vlerësojnë – dhe unë jam krenar për këtë” – tha ai.

Në të vërtetë, analistët politikë pajtohen se fuqia e Vuçiq nuk mund të shpjegohet vetëm me ndikimin në media.

“Vuçiç është jashtëzakonisht i mirë në realizimin e gjërave që serbët e zakonshëm duan të shohin,” – thotë James Ker-Lindsay, një specialist i Ballkanit në London School of Economics.

“Nga jashtë, ne shohim dikë që është shumë autoritar dhe ka shumë shqetësime për politika joliberale. Por në terren, serbët e zakonshëm flasin për faktin se ai po ofron zhvillim ekonomik dhe projekte të mëdha infrastrukturore. Këto janë gjërat që shumë serbë të zakonshëm mendojnë se duheshin bërë më parë nën administratat e mëparshme, por nuk u bënë” – thotë ai.

Veprimi i sikletshëm balancues

Ka qenë më e ndërlikuar për Vuçiç që t’u japë votuesve atë që duan kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Rusinë. Ai është shumë i vetëdijshëm se shumë nga votuesit e partisë së tij favorizojnë lidhjet tradicionale me Moskën përballë negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian që filluan në 2014.

Pushtimi rus i Ukrainës e ka kthyer këtë “akt balancues afatgjatë”, në një ecje në litar, por pa një rrjetë sigurie. Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Moskës, por votoi në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë pushtimin. Ka pasur demonstrata kundër luftës së Rusisë, por edhe në favor të saj.

Putin, Vucic Meet One Week Ahead Of Serbian Presidential Vote

Vuçiç e ka përmendur frazën “paqe dhe stabilitet” gjatë gjithë fushatës, por nëse ai rizgjidhet, Brukseli ka të ngjarë të rrisë presionin ndaj Beogradit për të sqaruar se kujt ai i qëndron besnik: Lindjes apo Perëndimit.

Natasha Kandiç, themeluesja e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, pajtohet se presidenti është një “politikan pragmatik” që ka fituar popullaritet nëpërmjet tërheqjes së investimeve të huaja që kanë sjellë “punë dhe paga”. Por një opozitë e plogësht ka ndihmuar gjithashtu kauzat e tij.

“Problemi kryesor është se nuk ka një opozitë demokratike” – thotë Kandiç. “Si mund të fitosh pa një udhëheqës të fortë?”

Ky problem vijon që kur Partia Demokratike e Serbisë humbi pushtetin në 2012 dhe u nda në fraksione të shumta konkurruese. Shumica e këtyre partive bojkotuan zgjedhjet e fundit në 2020, duke pretenduar se nuk ekzistonin kushtet për një votë të lirë dhe të ndershme. Kjo thjesht i lejoi Vuçiç të konsolidonte kontrollin e pushtetit të tij.

Këtë herë nuk ka bojkot të opozitës. Partitë nga i gjithë spektri politik janë futur në një koalicion të quajtur “Serbia e Bashkuar” në një fushatë të përbashkët kundër progresistëve.

Kandidati i tyre për president është ish-gjenerali, Zdravko Ponos. Ai është një figurë konservatore – gjë që ilustron natyrën e vështirë të aleancës opozitare. Në thelb, gjithçka që ata kanë të përbashkët është dëshira për të rrëzuar nga froni zotin Vuçiç – dhe analistët dyshojnë se kjo do të jetë e mjaftueshme për të tërhequr elektoratin.

Pas 10 vjetësh dhe 6 zgjedhjeve, populli i Serbisë tashmë di shumë për Partinë Progresive. Votimi i së dielës do të tregojë nëse ata e marrin vizionin e presidentit për progres – apo do të pranojnë linjën e opozitës se Vuçiç është një mirazh i manipuluar mediatik. ©Marrë nga BBC, përktheu LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *