• |
ide | kryesore

Dëshira e 100-vjeçares ukrainase për ditëlindje: Dua që ai të vdesë!

-Instant, Arkiva, F1, Lajme, Planet, Të fundit



99 vjeç e 8 muaj, Anna Bahatelya i ka mbijetuar çdo sprove në një shekull të trazuar të historisë së Ukrainës.

E lindur në gusht 1922, 4 muaj para shpalljes së Bashkimit Sovjetik, Bahatelya jetoi në Holodomor, kur regjimi i Jozef Stalinit shpalli një zi artificiale në zona të mëdha të Ukrainës duke konfiskuar rezervat e grurit të popullsisë. Ajo i mbijetoi më pas luftës së dytë botërore edhe pasi kaloi 2 vjet në një kamp nazist në Austri.

Ajo i mbijetoi Bashkimit Sovjetik dhe më pas kaloi vitet e vështira 1990, kur ekonomia e Ukrainës la shumë njerëz në varfëri. Këtë janar ajo i mbijetoi një periudhe të egër të Covid, pavarësisht se ishte e pavaksinuar. Tani, 4 muaj para shekullit të saj, ajo përballet me një sfidë tjetër: luftën e Vladimir Putin kundër vendit të saj.

“Tani përsëri, njerëzit po vuajnë,” – thotë ajo në shtëpinë e saj në periferi të Kievit, ku jeton me vajzën e saj 69-vjeçare, Olha Punyk.

Duke folur me zë të lartë, me një ton lutës dhe me ritmin e poezisë, Bahatelya ka kujtime të qarta të sprovave të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar. Megjithatë u zemërua kur u pyeta për presidentin rus, duke bërë një gjest të vrazhdë me dorë dhe duke e quajtur atë: “Njeriu më i keq në botë.”

Dëgjimi i saj nuk është aq i mirë, por ama ajo mundet të dëgjojë zhurmat e forta që vijnë nga zona e Brovary, vetëm disa kilometra larg shtëpisë së saj në dalje të kryeqytetit, i cili u godit nga forcat ruse në pjesën e parë të luftës.

Vajza i izoloi dritaret në dhomën e nënës së saj dhe vuri perde të errëta, por tha se aksioni ushtarak rus ka sjellë kujtime traumatike për të moshuarën. Shumica e njerëzve mbi 80 vjeç në Ukrainë kanë përjetuar shumë. Një historian e ka quajtur Ukrainën si “tokat e gjakut” pasi ky territor u gjend mes dhunës dhe terrorit si të Hitlerit dhe të Stalinit.

Për këtë shkak një drejtor i një azili të moshuarish në Kiev ka bërë gjithçka që ata të mos marrin vesh çfarë ndodh jashtë.

“Shumë nga njerëzit aty nuk kanë absolutisht asnjë ide se çfarë po ndodh jashtë gardhit” – tha drejtori, i cili kërkoi të mos i përmendet emri.

Ndërsa 99-vjeçarja Bahatelya është e vetëdijshme për atë që po ndodh, megjithëse vajza e saj bën çmos për ta mbrojtur atë nga më e keqja.

“Përpiqem ta fik televizorin kur ka lajme për luftën sepse ajo mërzitet shumë dhe fillon të flasë për të” – tha ajo.

Në qershor të vitit 1943, pasi nazistët pushtuan fshatin e Bahatelya-s, ajo u dërgua së bashku me miliona gra të tjera për të qenë një Ostarbeiter, termi që nazistët u dhanë civilëve të kapur në territoret e pushtuara dhe të detyruara për të punuar skllevër brenda Rajhut të Tretë.

Ajo kaloi dy vjet duke jetuar në një kamp në qytetin e vogël austriak të Ternitz dhe duke punuar në një fabrikë atje. “Ne kishim një çerek bukë në mëngjes dhe një supë të hollë dy herë në ditë, pastaj patate të dielën,” – kujton ajo.

Kur lufta po përfundonte dhe ushtarët sovjetikë po lëviznin drejt perëndimit, Bahatelya shkoi në Budapest përpara se të kthehej në shtëpi me tren duke gjetur gjithë fshatin e saj të shkatërruar. Në atë kohë, ajo e konsideronte veten një qytetare patriotike sovjetike dhe rusët një komb vëllazëror.

“Ajo më tha se kur vdiq Stalini, ajo qau. Ajo qau me lot të sinqertë, sepse mendonte se ishte një tragjedi. Ata ishin indoktrinuar në atë kohë, ashtu si rusët indoktrinohen nga propaganda e tyre sot” – tregon vajza.

E pyetur se çfarë do të dëshironte për ditëlindjen e saj të 100-të, Bahatelya tha se kishte një dëshirë: “Do të doja që ai të vdiste”.

Ishte e qartë se kë donte të thoshte. ©Marrë nga The Guardian, përktheu LAPSI.al



3 Comments

  1. S’është ndonjë dëshirë e madhe – nëna e bolshevikëve proletarë skitë stalino-putinianë është gjithmonë shtatzanë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *