• |
ide | kryesore

Inzaghi, paralajmëron Juventusin: “Ndeshja e duhur për t’i dhënë të gjithëve një sinjal”

-Instant, Sport



Juventus-Inter nuk është kurrë një ndeshje si të tjetrat në Serie A. Derbi i Italisë mbart një ngarkesë të veçantë tensioni, këtë vit edhe më shumë me titullin në horizont. Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, e ka të qartë se cfarë luhet mbrëmjen e sotme në Torino: “Ndeshja kundër Juventusit është gjithmonë e rëndësishme, por ky vit është viti i duhur për t’u dhënë një sinjal të gjithëve. Pres rezultatin”.

Interi është në betejë të plotë për kampionatin, por do të ishte në pozita edhe më të mira, nëse nuk do të kalonte një moment të vështirë, për të cilin Inzaghi nuk bën dramë: “Të gjitha skuadrat e kreut kanë patur një moment të vështirë. I yni përkoi me rikthimin e Champions League dhe derbin e humbur ndaj Milanit. Në fillim të sezonit do të kisha nënshkruar për të qenë me këtë renditje në prill dhe të kisha fituar Superkupën, duke luajtur për titullin dhe një vend Champions, që është objektivi i kërkuar nga shoqëria – analizoi Inzaghi, duke shtuar se cfarë pret nga kjo ndeshje -. Pres rezultatin. Për sa i përket performancës nuk ka munguar asnjëherë, madje të dhënat e fundit e konfirmojnë këtë. Ne krijojmë shumë, pavarësisht se kemi marrë vetëm shtatë pikë në shtatë ndeshjet e fundit. Ne duam të bëjmë rezultat duke e ditur se nëntë ndeshje nga fundi do të jenë nëntë finale, por ajo kundër Juventusit është më impenjuesja për ne”.

Inzaghi ka një rekord pozitiv përballë bardhezinjve dhe fakti që di si ta mundë Juventus mund të jetë një armë më shumë në këtë ndeshje: ” Ky është Derbi i Italisë, nuk është njësoj si të tjerët dhe është një ndeshje shumë e ndjerë. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe në Torino dhe rezultati do të ketë një ndikim të madh në moral dhe në renditje, por më pas do të ketë edhe tetë ndeshje të tjera dhe sfidat e Kupës së Italisë. Kam një të kaluar të afërt pozitive kundër bardhezinjve në të cilat kemi pasur ndeshje të shkëlqyera. Në transfertë do të jetë më i komplikuar, por ne kemi detyrimin të luajmë një ndeshje të vërtetë prej Interi. Ne jemi ndeshjur tashmë me Juventusin këtë vit, por e dimë se ata janë në një moment të madh me një seri të rëndësishme që i ka rikthyer atje ku e meritojnë në renditje”.

Në fund, edhe një vëzhgim mbi kundërshtarin: “Juventusin e njohim mirë. Në janar me Vlahovic e Zakarian kanë investuar në mënyrë të rëndësishme sepsé donin të përmirësoheshin, edhe pse ishin të fortë edhe më parë. Vlahovic, Dybala, Kean e të gjithë të tjerët janë për tu patur kujdes”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *