• |
ide | kryesore

Video/ “Më jepni Amir Khan”: Florian Marku shemb me ‘KO’ Chris Jenkins dhe sfidon më të fortin

-Instant, Sport, Video



Florian Marku ka mbrojtur titullin e IBF International në peshën e lehtë dhe menjëherë e ka kthyer vëmendjen te disa nga emrat më të mëdhenj në divizion, pas fitores së tij me KO ndaj Chris Jenkins. Boksieri shqiptar ka folur për Sky Sports së bashku me trajnerin e tij Grant Smith, pas fitores së tij mbresëlënëse kundër Jenkins. Marku e rrëzoi kundërshtarin në raundin e katërt dhe menjëherë kërkoi: “Më jepni Amir Khan!”

Shqiptari, i brohoritur nga një mbështetje e madhe dhe e zhurmshme në Newcastle, u shty nga ish-kampioni britanik Jenkins në raundet e para. Por një goditje e fuqishme me të djathtën nga Marku në kokën e Jenkins në raundin e katërt krijoi një sekuencë shkatërruese grushtash që detyruan arbitrin Steve Grey të mbyllë duelin, duke i dhënë ish-luftëtarit të arteve marciale të përziera një rekord prej 11(7)-0-1.

Boksieri britanik Chris Kongo, i përmendur si një kundërshtar i mundshëm i radhës, ishte në mesin e atyre që shikonin Markun në ring, por shqiptari e ktheu menjëherë vëmendjen te disa prej emrave më të mëdhenj të divizionit, përfshirë ish-kampionin e botës Khan. “Ju lutem, mos i përmendni këto lloj emrash, sepse kur isha duke u ngjitur, këta njerëz po më shmangnin”, tha Marku mbi perspektivën për t’u përballur me Kongon më pas.

“Tani po bëj shumë zhurmë, shumë fitore të mira, të gjithë njerëzit fillojnë të më thërrasin. Dëgjoni, unë dua në ring djalin e Nigel Benn [Conor Benn], Kell Brook, Amir Khan – më jepni këto lloj boksierësh dhe do të shihni se si luftoj unë me ta. Mos përmendni askënd tjetër, më jepni një prej tyre dhe do të shihni se çfarë mund të bëj, më jep Amir Khan në ndeshjen tjetër dhe unë do ta thyej”.

Uellsiani Jenkins (28(8)-5-3) bëri një fillim të mirë në duel, duke dhënë disa goditje të menjëhershme dhe duke e mbajtur Markun në tension me kombinime të bukura grushtimi. Një përplasje aksidentale me kokë në raundin e tretë e la Markun me një prerje mbi syrin e tij të majtë dhe kjo bëri që ai të ngrinte ritmin në të katërtin, duke sjellë përfundimisht një KO shkatërrues me Jenkins të paaftë për t’iu përgjigjur një breshërie goditjesh. “Fillova të nxitoja sepse ndjeva se prerja ishte ndoshta shumë e madhe dhe kisha frikë se mos më ndalonte arbitri”, tha Marku. “Kjo është arsyeja pse fillova të rritja shumë ritmin”.

https://www.youtube.com/watch?v=9RN3Zh1OFuw



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *