• |
ide | kryesore

Gjatë vetingut, prokurorja Eriselda Bala zbulon se i kishin falsifikuar firmën

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Seanca për prokuroren e Tiranës, Eriselda Bala që u zhvilluar të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u përqendrua në një moment të çudishëm dhe që vetë prokurorja tha se ishte “i palogjikshëm”.

Siç u raportua në seancë nga relatorja Brunilda Bekteshi, që ishte pjesë e trupës së KPK-së bashkë me Suela Zhegun dhe Firdes Shulin, Bala dhe i shoqi ishin futur në një kontratë sipërmarrjeje me një kompani ndërtimi me inicialet O. dhe i kishin paguar asaj në tre këste shumën 48 mijë euro për një apartament.

Por KPK tha se kishte zbuluar një pagesë po prej 48 mijë eurosh të bërë në emër të Balës nga një bankë përmes një kësti të vetëm. Në dëshminë e dhënë para KPK-së, një përfaqësuese e kompanisë kishte pranuar se pagesa ishte bërë nga kompania për të mbuluar detyrime të brendshme.

Bala tha se nuk kishte pasur dijeni për pagesën në bankë dhe se e kishte mësuar pas hetimit nga KPK. Ajo tha se menjëherë kishte bërë kallëzim penal për falsifikim dhe se një ekspertizë e kërkuar prej saj kishte provuar se firmat ishin të falsifikuara.

KPK vuri në dukje se Balës i ishte kaluar po ashtu barrë prove edhe sa i përket një dhurate 1 milion lekë nga gjyshërit dhe të ardhurave të prindërve të bashkëshortit në vlerën rreth 2 milionë lekë.

Bala e ka filluar karrierën si magjistrate në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë në vitin 2008 dhe një vit më vonë është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec. Në vitin 2015 ajo është emëruar si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kriteri i pasurisë

Komisionerja Bekteshi relatoi gjatë seancës dëgjimore se Balës i ishin kërkuar fillimisht sqarime mbi burimin e një shume prej 5 mijë dollarësh të kursyer. Bala e kishte deklaruar shumën para fillimit të detyrës si kursime nga bursa për Shkollën e Magjistraturës, por KPK tha se llogaria ishte krijuar më herët.

Bala sqaroi në seancë se bëhej fjalë për një llogari që ishte krijuar nga prindërit, por për të cilën ajo i kishte rimbursuar duke lënë në shtëpi paratë e marra nga bursa. Bala tha se për shkak të këtij kontributi i kishte cilësuar kursimet si të sajat.

Balës po ashtu iu kërkuan sqarime në lidhje me transaksionet në blerjen e një makine dhe mosdeklarimin prej saj të pagesës së detyrimeve doganore. Bala tha se nuk kishte pasur detyrim për të deklaruar këtë shumë në vitin kur ishte bërë deklarimi pasi ishte nën vlerën e shumave që deklaroheshin.

Ndërkohë nga relatimi doli se Balës i ishte kaluar barrë prove për të dokumentuar burimin e të ardhurave të personave që e kishin ndihmuar me hua dhe dhurata për blerjen e apartamentit 48 mijë euro.

KPK tha se Bala kishte sjellë dokumentacion për të ardhurat e gjyshërve në Gjirokastër, përfshi dokumente për llogari bankare prej vitit 2004. Komisioni po ashtu tha se kishte hetuar gjatë sa i përket përfitimeve për bletërritësit, që dilte të ishte puna e gjyshit të prokurores dhe po ashtu edhe për përfitimet e tjera të çiftit.

Nga sa doli në relatim, shumat në fjalë kishin qenë në llogari bankare dhe investuar në bono që prej vitit 2006, para se Bala të fillonte detyrën dhe se këto para ishin përdorur për të bërë dhurimin.

Më problematike u duk në relatim barra e provës për të ardhurat e prindërve të bashkëshortit që kishin kontribuar në një shumë prej 2 milion lekësh në blerjen e shtëpisë. Bala pretendoi njësoj se të ardhurat ishin dokumentuar dhe kishin origjinën nga puna në blegtori dhe puna si infermiere e nënës së bashkëshortit. Ajo solli dokumente për regjistrimin si fermer të babait të bashkëshortit dhe një përllogaritje të fitimeve të tij bazuar në një vlerësim nga Autoritetit të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, AKVMB. Bala tha se bazuar në këto llogari për tufa me 80 deri në 150 krerë siç provohej të kishte pasur vjehrri, ky i fundit mund ta krijonte shumën prej 2 milion lekësh në dy vjet.

Prokurorja megjithatë kërkoi që KPK të mos e konsideronte si detyrim të sajin dokumentimin e këtyre të ardhurave, duke arsyetuar se ato i përkisnin bashkëshortit, pjesës së tij në apartament dhe po ashtu ishin krijuar para se ajo të fillonte detyrën.

Pagesa e dyfishtë

Fokusi i KPK-së, bazuar edhe në pyetjet e përgjigjet që iu bënë Balës në fund të seancës nga anëtarja Firdes Shuli dhe vëzhguesi ndërkombëtar, Tonci Petkovic, ishte pagesa dy herë e çmimit të apartamentit.

Në relatim, Bekteshi tha se kjo pagesë e kryer në emër të subjektit kishte ngjallur dyshime. Ajo tha se dëshmia e përfaqësueses së kompanisë O, me të cilën ishte bërë marrëveshja nuk kishte qenë sqaruese dhe se subjektit i ishin kërkuar më shumë informacione.

Nga të dhënat e bëra publike rezultoi se marrëveshja mes palëve ishte që pagesa të bëhej në tre këste dhe kësti kryesor prej 39 mijë eurosh do bëhej në qershor 2012, por Bala dhe bashkëshorti nuk i kishin pasur paratë në këtë moment. Për këtë kompanisë i ishte kërkuar një shtyrje e afatit dhe Bala kishte bërë pagesën në 23 korrik, pasi ishin tëhequr paratë nga llogaritë bankare dhe ishin kryer transaksionet e tjera. Pagesa sipas Balës ishte bërë në dorë në zyrat e kompanisë dhe ajo paraqiti si prova faturat.

Por KPK në hetimin e saj kishte gjetur se në bankë ishte kryer një transaksion i plotë në shumën 48 mijë euro në emër të Balës në muajin qershor. Kjo e bënte Balën të dilte me bilanc negativ, duke qenë se kjo shumë e dytë nuk justifikohej dhe as ishte e deklaruar.

Por prokurorja këmbënguli në seancë se kishte pasur vetëm një pagesë. Ajo tha se kishte bërë kallëzim penal ndaj bankës që kishte lejuar transaksionin dhe se nuk ishte në dijeni të personit që kishte firmosur në emër të saj. Ajo tha se kishte kërkuar ekspertizë të dokumentit dhe se ekspertiza e kishte nxjerrë dokumentin e përpiluar nga banka si plotësisht të falsifikuar.

E pyetur nga Shuli dhe Petkovic se përse nuk kishte denoncuar kompaninë, duke qenë se ajo ose një punonjës i saj kishin bërë pagesën dhe përdorur emrin e saj, Bala tha se kishte denoncuar vetëm faktin e falsifikimit dhe se prokuroria e Elbasanit që po hetonte çështjen do të zbulonte autorësinë. Ajo këmbënguli se banka kishte përgjegjësinë më të madhe në këtë rast, duke qenë se kishte rolin e kontrolluesit dhe nuk duhej të kishte lejuar një transaksion të tillë.

Bala tha se në kallëzim ishte po ashtu edhe kompania. “Është e palogjikshme”, tha ajo duke iu referuar transaksionit dhe bëri me dije se nuk e kuptonte se cilat ishin arsyet pas tij.

Ajo tha se provë që pagesa e bërë prej saj ishte në datën që ajo kishte deklaruar ishte kontrata e marrjes së çelësave të shtëpisë një ditë pas kësaj pagese.

Bala nuk kishte probleme të figurës dhe nuk iu vunë në dukje probleme të profesionalizmit. KPK megjithatë tha se kishte kërkuar sqarime prej saj sa i përket tre dosjeve. Njëra nga dosjet siç u tha në seancë i përkiste vendimit të mosfillimit të një hetimi për dhunë ndaj një fëmije nga një edukatore kopshti. KPK tha se indicien për këtë rast e kishte marrë nga një denoncim në media.

Komisioni tha se nga verifikimi i dosjes rezultonte se Bala kishte kryer 19 veprime hetimore, por se pas ankesës së prindërve të fëmijës, gjykata e kishte kthyer sërish për hetim çështjen. Bala tha se me provat që kishte pasur nuk mund të provohej vepra penale. Ajo këmbënguli në seancë se kishte kryer detyrën. Ndër të tjera prokurorja vlerësoi si të thelluar hetimin e KPK-së dhe vlerësoi Komisionin për punën e bërë. Ajo kërkoi konfirmim në detyrë. Seanca e njoftimit u caktua në 7 prill.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *