• |
ide | kryesore

Gjyqi i “Dosjes 184” devijon si seancë censure ndaj gazetarit Sami Curri

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Njëra prej seancave të gjyqit për “Dosjen 184” mori rrjedhë të çuditshme të martën, kur pas sulmeve të të pandehurit Robert Aga ndaj këtij reporteri, gjyqtarja Nertila Kape mori rolin e kryeredaktores duke treguar se si duhej bërë raportimi i çështjes.

Në fillim të seancës gjyqësore, e cila më pas u shty, i pandehur Aga akuzoi gazetarin e BIRN, autor i këtij shkrimi, se ai po përgjonte dhe kërkoi që ai të përjashtohej nga seanca. Aga po gjykohet së bashku me ish-administratorin e Lurës, Hasan Hoti për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën e manipulimit të votës në vitin 2016. Ai pretendoi ndër të tjera se shkrimet ‘nuk publikoheshin në gazetë, por Facebook’.

Gjyqtarja Nertila Kape nga ana e saj kishte po ashtu kritika për raportimin, diçka e përsëritur edhe më herët në seancën e datës 6 tetor 2021.

“Ju me cilësinë e gazetarit nuk mund t’i thoni fjalë për fjalë ashtu siç janë. Mund të bëni një përmbledhje për raportimet që ju bëni,” tha Kape në sallën e gjyqit, duke iu drejtuar gazetarit.

E pyetur në telefon nga BIRN për këtë devijim të seancës së gjyqit dhe përpjekjet për censurë, Kape refuzoi të komentonte, por tha: “seanca ishte publike”.

Kërkesa të veçanta për këtë reporter kishte edhe avokati Gentian Rumano, i cili pretendoi se fotoja e ish-shefit të Komisariatit të Policisë Dibër po përdorej pa leje. Në foton në fjalë, Aga dhe të pandehurit e tjerë të dosjes janë me shpinë nga kamera.

Ndërkohë, seanca gjyqësore nuk vijoi përtej shqyrtimit të raportimit të bërë në media, pasi pas konstatimit të mungesës së një dëshmitari, seanca u shty për në datën 19 prill.

Njëlloj u shty edhe seanca tjetër në ngarkim të Drini Gjecit, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre. Gjyqtari Edvan Veçani që gjykon këtë dosje, bëri me dije në fillim të gjyqit se një pjesë e viktimave të thirrura në këtë proces nuk ishin paraqitur – pavarësisht se ishin njoftuar disa herë.

Me dakordësi të prokurorit të çështjes, Urimi Buci dhe përfaqësuesit të të pandehurve, avokati Gentian Rumano, Gjykata vendosi që gjykimi të vazhdojë në mungesë të të viktimave të veprës penale. Me pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar, nëse dy të akuzuarit do të shpallen fajtorë do të përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit përfundimtar./ Sami Curri për Reporter.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *