• |
ide | kryesore

Luftë për dominimin e dëshirave

-Instant, 2, Arkiva, Ide



Asnjë shtet, sado i madh nuk është mjaftueshëm i fuqishëm, për ta pushtuar një vend tjetër pa ia pushtuar më parë dëshirat popullit të atij vendi. E nëse ia pushton dëshirat, pastaj nuk ka më as nevojë për të angazhuar forcat ushtarake. 

Qysh prej vitit 1914 e këndej, pra qysh prej Luftës së Parë Botërore, nuk dimë për asnjë luftë që ka përfunduar me fitoren e atij që ka shtënë fishekun e parë, me përjashtim të luftërave për çlirim kombëtar.

Nëse në shekullin XIX lufta ka qenë terreni ku janë mbrujtur superfuqitë dhe është fituar reputacioni global, në shekullin pasardhës e deri më sot luftërat janë dëshmuar si përcaktuese të limiteve të superfuqive. Franca e humbi statusin e superfuqisë pas humbjeve në Algjeri e Indokinë, Britania përfundimisht e humbi në Suez. Por edhe në botën bipolare të Luftës së Ftohtë, humbjet e BRSS-së në Afganistan dhe të SHBA-së në Vietnam ose në periudhën bashkëkohore, tërheqja e SHBA-së nga Afganistani pas shumë kostosh, tregojnë se pavarësisht diferencës së stërmadhe mes fuqive, avancimit teknologjik etj. në fund trojet u mbeten atyre që i duan më shumë ato. Kjo po dëshmohet deri më tash edhe në Ukrainë, në luftën pushtuese që ka nisur Rusia. Pavarësisht asimetrisë së thellë, vështirësitë që po has ushtria ruse tregojnë pikërisht këtë: asnjë shtet, sado i madh, nuk është mjaftueshëm i fuqishëm për ta pushtuar një vend tjetër pa ia pushtuar më parë dëshirat popullit të atij vendi. E nëse ia pushton dëshirat, pastaj nuk ka më as nevojë për të angazhuar forcat ushtarake.

Sundimi i dëshirave është karakteri kryesor që shënjon strategjinë e fuqive, sidomos qysh prej pas Luftës I Botërore. Angazhimi thuajse i njëkohshëm i udhëheqësit rus, Lenin, dhe i presidentit amerikan, Wilson, secili me tezat e veta për vetëvendosjen e kombeve, shënon nisjen e një gare mes dy vendeve që asokohe ende nuk ishin superfuqi, por në vizionin e dy shtetarëve do të bëheshin të tilla. Kjo është pikërisht gara për të fituar dëshirat (ose zemrat e mendjet) e popujve të tjerë, të cilët deri në atë kohë ishin dominuar kryesisht përmes forcës. Në kuadër të kësaj gare, në lindje u zhvillua një diskurs i transformimit revolucionar të shoqërisë, në emër të të cilit kërkohej sakrificë dhe disiplinë prej individëve. Perëndimi e zhvilloi kundërpërgjigjjen, krijimin e një ekuilibri trepalësh mes kapitalit, sindikatave dhe shtetit. Ky ekuilibër trepalësh i vendoste nën kontroll të trija elementet, duke mos e lejuar rritjen e pabarazisë dhe duke krijuar mundësinë për një shpërndarje më të gjerë të të mirave, pra një rritje të mirëqenies. Ideologjia e mirëqenies kërkonte sakrifica prej kapitalit (pra, fitim më të vogël), për ta blerë paqen sociale ose konsensusin e klasave të mesme e të ulëta. Nga ana tjetër, këtyre u tregohej se përpjekjet për transformim revolucionar të shoqërisë kërkonin sakrifica afatgjata e me rezultat të pasigurt. A ia vlente për një punëtor a intelektual të çohej kundër sistemit e t’i hynte atyre sakrificave, për një sukses që nuk dihej a do të vinte por edhe nëse do të vinte, kjo do të ndodhte vetëm pas një kohe të gjatë. “Në afatgjatë, të gjithë do të kemi vdekur”, bënte shaka Keynesi.

Sakrificat e mëdha, që kërkoheshin prej popujve në lindje, sollën si pasojë një zvogëlim të popullaritetit të pushtetit revolucionar, qysh në vitet e ’30-ta. Kjo solli, si pasojë, debate të brendshme, e më pas shtypje të këtyre debateve me ekzekutime, burgosje e internime. Në vitet e para të pushtetit sovjetik toleranca ishte më e madhe. Shumë filozofë e intelektualë, me qëndrim të kundërt me pushtetin, vazhduan të punonin ose të jepnin mësim, e në rastet kur mospajtimi ishte ekstrem, u lejuan të largoheshin në vitin 1922 përmes të famshmeve “anije të filozofëve”. Por, në vitet e ’30-ta, kur politikat e kolektivizimit kishin zënë të shkaktonin kriza të rënda dhe zi të bukës, edhe mospajtimet e vogla u bënë të papranueshme. Shumica e të ekzekutuarve dhe të syrgjynosurve ishin jo më kundërshtarë të bolshevizmit, por edhe vetë bolshevikë të shquar, që kishin guxuar të kërkonin shqyrtimin e alternativave të tjera zhvillimore në atë kohë pakënaqësish të mëdha.

Aq të mëdha ishin pakënaqësitë, saqë edhe në kohën e Luftës II Botërore, përballë një armiku agresiv si Gjermania naziste, nuk mjaftonte ideali internacionalist komunist për t’i frymëzuar masat në mbështetje të luftës. U kërkua ndihma e nacionalizmit, që deri më aty ishte parë si armik prej doktrinës zyrtare. Lufta II Botërore në Rusi edhe sot njihet si “Lufta e Madhe Patriotike”, ndërkohë që shumë parti komuniste, nën koordinimin e Kominternit, u udhëzuan të bashkëpunojnë me faktorë të krahëve të tjerë politikë për krijimin e fronteve të çlirimit kombëtar (nacional-çlirimtar).

Në të njëjtën kohë, pala tjetër, pra SHBA-ja, besnikë të strategjisë që kishin zgjedhur, teksa kërkonin prej popullit sakrifica të mëdha për shkak të luftës, kujdeseshin që ato sakrifica të mos perceptoheshin si të padrejta ndaj masave, shtresave të mesme e të ulëta. Nën presidentin Roosevelt u zhvillua një ekonomi e luftës paralel me politikën ekonomike të quajtur “New Deal”, e cila vazhdoi edhe pas luftës. Këto politika kërkonin një sakrificë më të madhe patriotike nga ata që ishin në gjendje të sakrifikonin më shumë, pra nga korporatat e bizneset. Kontrolle të çmimeve hynë në fuqi, teksa prodhimi u kanalizua drejt sektorëve të rëndësishëm strategjikë dhe papunësia u ul në nivele minimale.

Strategjia e sundimit të dëshirave nuk ishte vetëm politikë ekonomike, por edhe zbulim-kundërzbulim. Secila palë përpiqej t’i instrumentalizonte edhe lëvizjet kulturore e intelektuale të palës tjetër. Perëndimi e forconte propagandimin e të drejtave individuale dhe konsumerizmit, përmes filmave, muzikës dhe televizioneve, ndërsa lindja mbështeste lëvizjet revolucionare dhe partitë komuniste në perëndim. Arrihej deri aty sa të përdoreshin edhe filozofitë e rafinuara të filozofëve, si Michel Foucault etj., nga CIA, për të shkaktuar theksim të kritikave të brendshme dhe përçarjeve në grupet komuniste në perëndim. Duke treguar se si brenda secilës lëvizje që lufton një shtypje, ekzistojnë shtypje të tjera, këta filozofë e çuan në dilema ekzistenciale të majtën në perëndim dhe i paraprinë rrënimit të saj. Siç shkruan diku trockisti francez Daniel Bensaid, “filozofët si Deleuze e Foucault ia hoqën të majtës mundësinë e çdo strategjie”.

Garën për dominimin e dëshirave nuk e ndali dot as perdja e hekurt. Burokratizimi i theksuar në bllokun lindor, pra fenomeni i kryerjes së punës “sa për sy e faqe”, i cili ende vazhdon në shoqëritë tona, lidhet pikërisht me humbjen e dëshirës për të punuar për vendin tënd dhe fshehurazi dëshirën për të jetuar si “armiku”. Ky fenomen vazhdon edhe sot në vendet e ish-bllokut lindor, i reflektuar te dëshira e madhe për emigrim “në perëndim” jo vetëm të atyre që janë në vështirësi ekonomike, por edhe e atyre që kanë të ardhura të mira. Arsyeja kryesore është se pas rënies së perdes së hekurt, në këto vende nuk u zbatua ndonjë politikë që u jepte prioritet të drejtave, demokracisë dhe mirëqenies, sipas formulës keynesiane-rooseveltiane, por neoliberalizmi, sipas formulës friedmaniane-reganiane.

Neoliberalizmi është ideologjia e cila u zhvillua në fund të viteve të ’70-ta, pasi u bë e qartë se sovjetikët e kishin humbur garën për dominimin e dëshirave. Kapitali fitoi vetëbesimin për një pushtet të pasfiduar dhe ngadalë filloi të hiqte qafe kornizat rooseveltiane. Trekëndëshi i ekuilibrit mes kapitalit, sindikatave dhe shtetit, u disbalancua. Fillimisht u dobësuan sindikatat, përmes akuzave për korrupsion dhe evidentimit të defekteve organizative dhe shtypjeve që ekzistonin brenda tyre, pastaj u dobësua edhe shteti, përmes zvogëlimit të administratës publike dhe taksave. “Paratë janë më të vlefshme në xhepat e qytetarëve sesa në ato të shtetit”, thoshte Reagani. Por, paratë në xhepat e qytetarëve qëndronin shumë më pak, teksa shtrenjtoheshin shërbime deri më aty të subvencionuara nga shteti, si arsimi e shëndetësia. Pabarazia shoqërore nisi të theksohej, ndërsa bashkë me të edhe pakënaqësia shoqërore.

Qysh në antikitet, kur lindte shkenca e historisë, dallimi mes Herodotit dhe Tuqididit qëndronte te fakti se i pari mbante një qëndrim moralo-mitik ndaj historisë, ndërsa i dyti një qëndrim më matematik. Pra, Herodoti mendon (thënë shkurt) se në përballjet historike dënohen ata që veprojnë me arrogancë (Hubris), ndërsa Tuqididi përshkruan se rezultati përcaktohet vetëm nga përmasat e forcave dhe strategjia e përdorur prej tyre. Sigurisht, në kohën tonë jemi më të prirë të mendojmë si Tuqididi. Por, po të lexojmë pak më thellësisht, edhe Herodoti ka një farë të drejte nëse konsiderojmë se arroganca dhe shpërfillja e moralit të masave sjell rritje të pakënaqësisë, demoralizim e, në analizë të fundit, edhe humbje të luftës. Arroganca sovjetike ndaj masave të gjera solli rritjen e pakënaqësisë dhe shkërmoqjen pa luftë të regjimeve në fund të viteve të ’80-ta. Por, në perëndim korporatat dhe politikanët neoliberalë nuk patën frikë të bëheshin arrogantë, sepse menduan se nuk kishin më përballë kujt të humbnin. Sa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare, prej vitit 1990 e këtej zuri të dominojë shkolla liberale apo neoliberale. Ata besonin se tashmë bota ishte në rrugën drejt unipolaritetit dhe masat nuk luanin më asnjë rol në histori. Jo se nuk do të kishte më luftëra, por luftërat gjithnjë e më shumë do të zhvilloheshin me teknologji të përparuara e me armatim të komanduar virtualisht, pa pasur nevojë për ushtarë. Si të thuash, masat nuk i hynin më askujt në punë.

Natyrisht, popujve kjo gjë nuk mund t’u pëlqente. Rrënimi i së majtës, të mbetur pa strategji e të fokusuar te tema të përfaqësimit simbolik e identitar ose te korrektesa politike dhe përfshirja, e la terrenin të hapur për një alternativë të vetme në gjendje për të paraqitur sfidë të fortë për liberalizmin dhe neoliberalizmin. Ajo alternativë ishte tradicionalizmi, një rrymë politike që premtonte rikthimin në rendet dhe hierarkitë paramoderne (“mesjeta e lavdishme” e Duginit), si edhe një farë deglobalizimi dhe rikthimin e një farë nacionalizmi nativist (“MAGA” e Trumpit apo “Brexit” i Johnsonit).

Kulmi i fuqisë amerikane, njëkohësisht afirmimi i saj si superfuqi e padiskutueshme, u arrit në vitin 1999, me ndërhyrjen humanitare ushtarake në Kosovë. Ka pasur edhe pas asaj ndërhyrje ushtarake amerikane në vende të tjera, por ndërhyrja në Kosovë dhe vetë Kosova si projekt shtetndërtimi demokratik, është sukses që ende nuk njeh pasardhës. Ndërhyrja në Kosovë, bashkë me zgjerimin e NATO-s, prodhuan shqetësim në Rusi dhe ardhjen në fuqi të një udhëheqjeje tjetër. Jelcini, i cili ishte i gatshëm ta pranonte rënien e Rusisë në rend të dytë, sa i përket fuqisë së saj globale, u zëvendësua nga Putini, i cili kishte ambicie të tjera. Putini e vendosi prioritetin te rifuqizimi i shërbimeve sekrete dhe i ushtrisë. Megjithatë, ai e dinte se ekonomia ruse nuk e lejonte garimin ushtarak e teknologjik me perëndimin, kështu që u përqendrua edhe në strategji të tjera. Nga njëra anë ai mori flamurin e tradicionalizmit dhe për vite me radhë mbështeti diku haptazi e diku fshehurazi forcat politike perëndimore me pikëpamje anti-globaliste e sidomos tradicionaliste. Grupe të ndryshme me pikëpamje radikale konservatore e ultrareligjioze, në mbështetje të politikanëve si Trump në SHBA ose Le Pen në Francë, ose edhe lëvizje identitare e ksenofobe në mbështetje të Brexit-it në Angli e Lega në Itali, sa për të përmendur disa. Mbarështimi i narrativës konspiracioniste, sipas së cilës perëndimi synon zhbërjen e gjithçkaje, përfshi edhe të familjes, përmes të drejtave të njerëzve me prirje seksuale të ndryshme, e vendos Putinin në pozitën e flamurtarit të këtij neo-tradicionalizmi global. Kjo lëvizje nuk duhet interpretuar si ndonjë çështje e besimit të vetë Putinit, i cili si ish-kuadër i KGB-së me shumë gjasë është ateist, por si një lëvizje strategjike për të fituar zemrat (pra për të dominuar dëshirat) e të pakënaqurve, të përbuzurve nga liberalizmi e neoliberalizmi.

Përveç instrumentalizimit të neo-tradicionalizmit, Putini vuri në shërbim të vet edhe naftën e gazin, duke favorizuar ndërtimin e infrastrukturës për furnizimin masiv të perëndimit, madje edhe me çmime të lira. Ai vepronte kështu pikërisht si disa shpërndarës droge – ofronte lirë një shërbim për të krijuar varësi te klienti e për ta pasur më pas në kontroll për një periudhë afatgjatë.

Por, një nga lëvizjet më kreative të Putinit ishte përdorimi i asaj që deri “dje” kishte qenë pika e dobët e shteteve të ish-bllokut lindor, pra të korrupsionit, si një armë gjeopolitike. Në ekonominë e re kapitaliste, ai i përdori oligarkët (monopolistë të lidhur ngushtë me shtetin e shërbimet sekrete) në dy fronte. Në frontin e brendshëm, oligarkët shërbenin për të penguar rënien në dorë të huaj të aseteve të rëndësishme për Rusinë, pavarësisht privatizimit të tyre. Ndërkaq në aspektin e jashtëm, oligarkët u shndërruan në një grup të ndërkombëtarizuar, të cilët përmes investimeve të rëndësishme fitonin ndikim të ndjeshëm në vende perëndimore. Ndikim si te opinioni i gjerë (duke blerë p.sh. ekipe të suksesshme futbolli ose massmedia), ashtu edhe te elitat politike e ekonomike, përmes bashkëpunimeve, lobimeve, lidhjeve shoqërore e krushqive, e kështu me radhë.

Pasi i thamë të gjitha këto, mund të shtrojmë edhe një hipotezë mbi arsyen e vërtetë të fillimit të luftës në Ukrainë. Ajo nuk ka të bëjë me vetë Ukrainën, sepse këtë vend Putini nuk e kishte edhe aq jashtë kontrolli. Përqindja jo e vogël e popullsisë ruse në Ukrainë, ekzistenca e e segmenteve pro-ruse në partitë politike dhe në shoqërinë civile, e sidomos lidhjet e forta të oligarkëve ukrainas me ata rusë, garantonin ndikim të përhershëm të Rusisë në atë vend. Ndërhyrja, po ashtu, nuk ka të bëjë me denazifikimin. Elementë neonazistë ka kudo në vendet e ish-bllokut lindor, përfshi edhe në Rusi, dhe këto kanë të bëjnë me ngritjen në piedestal të gjithçkaje antikomuniste në tridhjetë vitet e fundit. Grupe, si Russky Obraz, ekzistojnë në Rusi, njësoj si paramilitarët Azov në Ukrainë, megjithatë këta më shumë instrumentalizohen prej politikës sesa që e drejtojnë atë.

Arsyet se pse lufta filloi tani janë këto:

E para për nga rëndësia është politika e re e filluar nga presidenti amerikan Joe Biden, e cila i ka tre shtylla: rikthimin e mirëqenies përmes projekteve publike, fuqizimin e sindikatave dhe frenimin e kapitalit (rooseveltianizmi); ringritjen e besueshmërisë së demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut; dhe luftën ndaj korrupsionit (të cilin administrata Biden e ka shpallur si rrezik për stabilitetin ndërkombëtar). Kjo politikë, e ndërmarrë nga Biden-i, është e vetmja që mund t’i largojë masat popullore nga mbështetja e neo-tradicionalizmit, mund të zvogëlojë polarizimin e madh në vetë popullsinë e SHBA dhe mund ta rikthejë Amerikën si prijëse të një poli moral në politikën ndërkombëtare. Përveç kësaj, lufta kundër korrupsionit do ta zvogëlonte hapësirën manovruese për vetë oligarkët. Prandaj, Putini ka vepruar para se të ketë rezultate të prekshme kjo kthesë politike, e cila synon zhbërjen e katastrofës neoliberale (friedmaniane-reaganiane).

E dyta për nga rëndësia ka qenë situata aktuale e NATO-s, e cila ka qenë në tërheqje në Lindjen e Mesme (Siri, Irak), në Afganistan, në SAHEL etj. Një sukses rus në Ukrainë do të ishte një grusht fytyrës për NATO-n. Dhe, siç komentohet prej shumë analistëve ushtarakë, rusët kanë pritur që suksesi i tyre në Ukrainë do të ishte i lehtë. Siç duket, kanë menduar se afërsia etnike do të shkaktonte pritje me lule të ushtrisë ruse. Por, për ta përsëritur atë që thamë më lart, edhe një herë vërtetohet bindja e Herodotit se historia e zhgënjen arrogantin. Ukrainasit po bëjnë një rezistencë të pashembullt, ushtria ruse po pëson shumë humbje në terren, ndërkohë që si efekt, jo edhe aq anësor, po ndodhë një unifikim dhe një riarmatim i NATO-s (Gjermania, vendi më i pasur evropian, doli nga vetëkufizimi i saj ushtarak).

E treta për nga rëndësia ka qenë varësia e perëndimit prej gazit dhe naftës ruse. Në vitin e kaluar në samitin e G7 në Skoci vendet më të zhvilluara perëndimore u dakorduan për politika të reja në mbrojtje të klimës dhe këto përfshinin një tranzicion energjetik prej energjisë fosile (hidrokarbureve), drejt energjive të reja (diellore, të erës, ujore, gjeoenergjisë, etj.) Edhe Bashkimi Evropian, si pasojë e ashpërsimit të krizës klimatike, filloi të aplikojë politika që parashikonin zëvendësimin e gazit dhe të naftës me burime të tjera brenda pesë viteve të ardhshme. Në rast se këto politika do të kishin sukses, atëherë Putini nuk do ta zotëronte më mjetin me të cilin i mban të varura ekonomitë evropiane. Tash për tash, basti i tij është që vendet perëndimore nuk do të mund të qëndrojnë dot pas sanksioneve që vetë ia kanë vënë Rusisë, pikërisht për shkak të nevojës për naftë dhe gaz.

Lufta në Ukrainë, sido që të jetë, shënon rikthimin e Luftës së Ftohtë. Por, tash e tutje ajo nuk do të jetë mes kapitalistëve dhe socialistëve, por midis socialdemokracive dhe regjimeve neo-tradicionaliste. Kuptohet, kjo do të jetë edhe një garë për dominimin e dëshirave.



14 Comments

  1. Urimet e mija per kete analize. Informacion, kulture, studim, gazetari e mirefillte qe nuk e ndeshim shpesh ne mediat tona. Suksese te metejshme.

  2. Shkrim fantastik. Një analizë e thellë dhe e detajuar. Një nivel jashtëzakonisht i lartë jo vetëm në hapësirën shqiptare por edhe botërore.
    Urime Arbër! Presim më shumë analiza të tilla që këtej e tutje.

  3. Shkrim shume i sakte.
    Shpresojme dhe nje here te dominoje Perendimi “me gjithe te metat qe ka”.
    Mbi qelbesirat e c’do lloji putinke lepenke salvino llapaqenke.
    Hienat e historise si stalin mao kim e kurvi yne me dobichet e tije fatosa e pionere spiuna te ridhjere.

  4. Gjithë kjo teori historike është në mendjet e historianëve dhe analistëve që kërkojnë të thurin histori paralele me atë që ndodh realisht.

    Lufta ka si shkak vetëm një emër;Putin, të cilit i kishte hyrë vetja në qejf dhe duke qenë se Europianët hezitonin, jo kishin frikë, të përballeshin ushtarakisht me të.
    Putin kishte filluar ta shndëronte Rusinë në një vend komunist, ku demokracia ishte vetëm në letra jo në realitet.

    KËSHTU Pa opozitë ndërkombëtare të fortë, dhe po ashtu pa opozitë politike të fortë në Rusi, putinit i hyri vetja në qejf dhe nuk i bënte llogaritë e sakta.

    Kaq!

  5. Kam konsiderate per Arber Zaimin, por me kete analize ja ka futur kot, po kot fare. Duket qe nuk e njeh aspak realitetin ne Ukraine apo Rusi, rrjedhimisht perfundimet e tij jane te gabuara. Kur thote se 2Rusia nuk e kishte aq jashte kontrollit Ukrainen” apo kur thote se “rusët kanë pritur që suksesi i tyre në Ukrainë do të ishte i lehtë”, jane te gjitha premisa te gabuara, pasi jo qe ruset nuk e kane thene qe do ishte e lehte, por perkundrazi ishin te vetedijshem qe nuk do ishte e lehte. Propaganda perendimore eshte thjesht propagande. Po zotin Medvechuk e njeh Arbri? Jo per gje, se thote qe Rusia nuk e kishte aq jashte kontrollit Ukrainen. Kur Zelenski sekuestron pasuri me dekrete, apo mbyll televizione opozitare me dekret, thjesht se pronari i tyre eshte prorus, atehere nuk me rezulton se Rusia e kishte aq ne kontroll Ukrainen, le me te pretendojme per demokraci ne Ukraine.
    Nga ana tjeter e vertete qe ka grupe naziste ngado, por jo si ne Poloni apo Ukraine. Veçanerisht ne Ukraine kur Batalioni Azov eshte pergjegjes per mizori te pashoqe.

  6. Te marresh persiper te gjesh e te analizosh shkaqet e nje perplasje titanesh si Rusia me Perendimin me
    ne krye SHBA (pasi Ukrahina eshte veten sheshbeteja) eshte me teper se megallomani gazetareske. Por edhe per aq sa shkruan nuk eshte i balancuar. Per ata qe dine dicka nga historia e Europees, perplasja e Rusise e Perendimit nuk eshte dicka e re dhe qe lindi papritur ne koken e Putinit. Ne vitin 1812 ushtrite e Frances perandorake marrshuan drejt Rusise, i thyen ruset ne Borodino afer Moskes , dhe kur hyne ne Moske e gjeten ate te braktisur e ne flake nga vete ruset dhe Napoleoni u detyrua te terhiqej duke lene stepave te ngrira 90 perqind te ushtrise se tij te stermadhe.
    Po ashtu rreth 40 vjet me vone ne vitet 1853-1856 u zhvillua lufta e Krimese mes nje koalicioni Anglo-
    Franko-Otoman dhe Perandorise Ruse e cila perfundoi me fitoren e aleateve.
    Me 4 Gusht te vitit 1914 Gjermania e Kaizerit i shpall lufte Rusise duke e zgjeruar konfliktin mes
    Austro -Hungarise e Serbise pas vrasjes se Princit Trashegimtar ne Sarajeve, ne nje Lufte boterore. Ishte
    pikerisht kjo lufte, pra perplasja me gjermanet qe coi ne shperthimin e Revolucionit te Tetorit dhe
    krijimin e BRSS.
    Vetem 23 vjet pas dorezimit pa kushte te Gjermanise, dhe konkretisht me 22 Qershor te vitit 1941
    forcat e Vermahtit filluan operacionin e sulmit frontal dhe te pabese ndaj BRSS te koduar me
    emrin “Barbarosa” me nje ushtri 3 .5 milionshe ne 190 divizione te armatosur me tekniken me te
    avancuar te kohes. Mijera qytete e fshatra ruse u shkaterruan dhe mbi 20 milion njerez, shumica civile
    humben jeten nga kjo lufte e cila perfundoi me ngritjen e flamurit te BRSS mbi Reichtag.
    Krijimi i Natos ne vitin 1949 dhe si kunderpeshe i traktatit te varshaves ne vitin 1955 e kalcifikuan
    ndarjen dhe armiqesine mes lindjes e perendimit. Paisja e te dy blloqeve me arme berthamore te
    afta te asgjesonin palen kundershtare por duke u asgjesuar edhe vete, e beri te pamundur perplasjen
    ushtarake dhe lufta u zhvillua vetem ne aspektin ekonomik por edhe politik ku perendimi doli fitues
    por pa arritur ta shperbeje Rusine dhe forcen e saj ushtarake. Rusia duke patur nje territor prej
    1/6-ten e botes ka edhe resurse natyrore rreth nje te gjashten e botes kurse popullsia e saj eshte sa
    1/ 45 -ta e botes. Kjo eshte edhe aresyeja themelore e perplasjes se Perendimit me Rusine.
    Fuqia e Perendimit buron nga njerzit kurse fuqia e Rusise buron nga toka. Por si Perendimi eshtu
    edhe Rusia jane pjese e kesaj bote gjithenje e me te ndervarur dhe me nevojtare per njeri tjetrin.
    Perpllasja mes tyre ashtu si dallget e nje cunami i permbytin jo vetem ata. Eshte pergjegjesia e
    tyre historike te ulin tensionet, te asgjesojne armet dhe te ndertojne urat e paqes ne vend qe tu
    bien sirenave te luftes.

  7. Gjynah tere kjo oponenca jote e argmentuar faktikisht te konkludoje me tezen ‘te dy palet kane faj’.
    Sa per analizen duket ca e hallakatur.
    Qasja politike…. hajt mo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *