Ronald Koeman do të marrë detyrën e trajnerit të Holandës nga janari i vitit 2023. 59-vjeçari do të marrë drejtimin e kombëtares pas Kupës së Botës, kur Louis van Gaal të japë dorëheqjen. Vetëm pak ditë më parë, 70-vjeçari bëri të ditur se po lufton me kancerin agresiv të prostatës. Tani, Oranje kanë konfirmuar se Ronald Koeman do të marrë përsipër drejtimin e ekipit kombëtar pasi van Gaal të largohet nga detyra.
Ish-mbrojtësi, që u shkarkua nga Barcelona në tetor 2021, pritet të rikthehet në pankinën holandeze nga 1 janari 2023. Kontrata e tij me kombëtaren duhet të zgjasë deri në Botërorin 2026. Duke folur në një konferencë për shtyp në orët e fundit, Van Gaal rrëfeu se Koeman do të ishte njeriu i duhur për rolin: “Mendoj se ka shumë kuptim. I thashë unë vetë, nuk është aq e vështirë. Një vit më parë isha trajneri i vetëm me përvojë. Kjo tani vlen për Ronald Koeman. Nuk e them për mua, por për të. Do të ishte një pasardhës i mirë”.
Ndërsa ish-tekniku blaugrana, i cili tashmë ka drejtuar Oranje nga viti 2018 në 2020, pasi pranoi detyrën tha se mezi pret të fillojë: “Mezi pres të nis bashkëpunimin e ri. Pak më shumë se një vit e gjysmë më parë, sigurisht që nuk e lashë kombëtaren holandeze nga pakënaqësia. Qëndrimi im ishte i mirë dhe rezultatet ishin të mira. Së shpejti do të vazhdojmë në atë rrugë. Kjo është e sigurt për mua”.

Van Gaal, gjatë intervistës së organizuar për promovimin e dokumentarit të ri për jetën e tij, kishte bërë të ditur se pavarësisht sëmundjes dhe trajtimeve do ta çonte Holandën në Botërorin 2022 në Katar. Vetëm pas turneut do të heqë dorë nga roli i tij.
Koeman nga ana tjetër rikthehet në pankinë pas shkarkimit nga Barcelona. Holandezi, pas një fillimi katastrofik të sezonit, u shkarkua në avion gjatë fluturimit të kthimit nga ndeshja e humbur 1-0 në transfertë kundër Rayo Vallecanos. Katalanasit nuk kishin humbur ndaj klubit të vogël madrilen prej 19 vitesh, që kur Van Gaal ishte në krye të blauganave.